TIRANË - Ligji për nëpunësin civil në Shqipëri - në gjendjen aktuale - është i pazbatueshëm, e para se ai përcakton varësinë e administratës publike nga Ministri i Brendshëm dhe së dyti, se ekzistonte edhe një Ministër kontradiktor, ai i Inovacionit dhe Administratës Publike në kohën kur u hartua.

Ai është i pazbatueshëm edhe për faktin e tretë se për 29 nene të atij ligji janë detyra, të cilat qeveria "Berisha" nuk i ka përmbushur; asnjë akt nuk është lënë gati nga ish-Qeveria, që ta bëjë atë të mundshëm për t'u vënë në praktikë.
Këto sqarime i ka dhënë sot, deputeti socialist Erion Braçe, npërmjet profilit të tij në Fb.

Ai i është drejtuar ish-Kryeministrit Berisha me fjalët:  
"Berisha, a ke hartuar dhe lënë gati për miratim ndonjë nga aktet e përmendura në ligj, që e bëjnë atë të zbatueshëm? Po ua them unë: Asnjë!

Tani më thoni: Si mund të hyjë në fuqi dhe për më tepër të zbatohet menjëherë ky ligj, kur asnjë nga aktet e përmendura në 29 nene të tij nuk është hartuar apo gati për t'u miratuar?

Ligji në fjalë përcakton Ministrin e Brendshëm si autoritet përgjegjës për administratën publike;

Kuvendi, me miratimin e Programit dhe përbërjes së Qeverise ka vendosur që Qeveria ka në përbërje të saj një ministër të posaçëm,  Ministrin për Inovacionin dhe Administratën publike. Ja pra dhe një arsye tjetër përse ligji është i pazbatueshëm dhe kërkon ndryshim,"- përfundon Braçe.

Për të qënë konkret deri në fund, deputeti ka radhitur edhe nenet e ligjit dhe kërkesat që duhet të ishin plotësuar për ta bërë atë ligj funksional.

Ligji për nëpunësin civil është bërë sot çështja e radhës e debatueshme ndërmjet Qeverisë dhe opozitës, e cila ka deklaruar se nuk do të pranojnë asnjë ndërhyrje dhe asnjë negocim në ligjin për nëpunësin civil.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)