TIRANE - Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erjon Braçe i ka dhënë të drejtë njërit prej figurave më të spikatura të PS, profesorit të socialistëve Servet Pëllumbi në lidhje me zgjedhjen e listës së deputetëve nga baza e partisë.

 "Profesor Servet Pëllumbi ka thënë se listat e deputetëve të PS të përzgjidhen nga baza e partisë. Së pari, se kështu motivohen më mirë zgjedhësit që të jenë pjesëmarrës në të gjitha etapat e zgjedhjeve dhe ta dinë që të votojnë për veten e tyre. Së dyti është më e lehtë edhe për lidershipin e partisë që të mos mbetet skllav i listave të paravendosura, pavarësisht nga kontributet e secilit”, citon Braçe deklaratën e Pëllumbit në një të përditshme. “Veçse kjo do dialog të sinqertë, të hapur e transparent, si dhe integritet moral për t’u ngritur mbi interesa vetjake a klanore, mbi kapardisjet e tipit:

"Jam unë, pa jeni ju"! Veçanërisht e rëndësishme është dhe "ndreqja" e disa çështjeve të lëna pezull e që kanë të bëjnë me drejtimin e PS, sidomos në rrethet Sarandë, Përmet, Kuçovë, Vlorë etj", citon Braçë Pëllumbin, duke mbërritur dhe në qëndrimin e tij teksa i jep të drejtë atij për qëndrimin. “Më në fund një zë parimor, dhe i kthjellët. Dëgjojeni. Nuk është sulm.

Ka në thelb shqetësimin e zgjerimit të përfaqësimit”, jep nënkryetari i grupit të PS Braçe qëndrimin e tij në lidhje me listat që duhet të përzgjidhen nga baza e partisë. Dhe ky shqetësim nuk është i pari as nga ana e Braçes dhe as nga ana e socialistëve, ku anëtari tjetër i kryesisë, Malaj e ka kërkuar gjithnjë një gjë të tillë, por që ende s’ka marrë përgjigje zyrtare.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 13 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)