TIRANË - Deputeti socialist, Erion Braçe ka kërkuar që gjithë ato kompani,  që nuk kanë zbatuar kontratat, që nuk kanë përmbushur planet e investimeve, të përmirësimit të kushteve të punës, të kushteve teknike të sigurisë, duhet të largohen.  
 
“Të gjithë ata që nuk kanë zbatuar kontratat, veçanërisht ata që nuk kanë përmbushur planin e investimeve duke shfrytëzuar dhe afruar kohën e mbylljes së minierave për shkak të investimeve të munguara; nuk kanë përmbushur planin e përmirësimit të kushteve të punës, kushteve teknike dhe të sigurisë në punë; nuk kanë përmbushur planin e të punësuarve, veçanërisht të punësuarve ligjorë, me kontrata të rregullta dhe sigurime shoqërore e shëndetësore të garantuara; duhet të largohen, me ata duhet zgjidhur kontrata e papërmbushur menjëherë! Pa u larguar këta nuk mund të ketë asnjë reformë, asnjë plan të ri zhvillimi”, thotë Braçe.

Braçe e bën këtë reahim lidhur me lajmin sot në media se ministri i Industrisë dhe Energjitikës ka pezulluar lejet koncesionare të shfrytëzimit të minierave të kromit dhe posaçërisht edhe kompaninë e “Albchrome”, të zotëruar nga biznesmeni Samir Mane. "Ka bërë shumë mirë! Madje t’i shkojë deri në fund! Por u bë kohë, 8 vite kohë, që këta pezullohen, verifikohen, dënohen, çlirohen, shesin tek njëri-tjetri lejet e licencat, kuotat dhe gjithë kompanitë, që zotërojnë lejet dhe cikli rinis nga e para. Pra, përsëri pezullohen, verifikohen, dënohen, çlirohen, ndërrojnë pronësinë dhe fitojnë para pa pushim. Shteti nuk merr gjë për ta rishpërndarë, ka ardhur koha që çdo gjë të ndryshojë!", thotë Braçe.
 
Ai thekson se nuk vjen investitor i huaj të zhvillojë këto kapacitete të mëdha ekonomike me krimin e organizuar dhe klientët gjithëfarësh nëpër këmbë. "Duhen larguar këta; Duhet një reformë e tërë në fushën minerare që paraqet, garanton dhe zbaton një plan strategjik të zhvillimit minerar; duhet një reformë e tërë standardesh që përcaktojnë qartë se çfarë është një minierë, qofte nga pikëpamja teknike, ashtu dhe nga pikpamja e zhvillimit të sigurtë të saj. Historia e vrimave që jepen me koncensione e shfrytëzojnë njerëzit si në skllavëri deri në marrjen e jetës duhet të marrë fund!".
 
"Duhen thirrur investitorë strategjikë, që merren me minierat. Duhet t’i jepet fund marrëdhënieve me shoqëri tregtare që mburren që kanë para, por nuk dinë kurrë të menaxhojnë e zhvillojnë një minierë. Kështu e mendoj unë. Ka plot të tjerë, që kanë edhe më shumë për të sugjeruar. Por gjithçka duhet bërë shpejt e ndershëm! Ekonomia ka nevojë për prodhim, nevojë për eksporte, njerëzit kanë nevojë për punë, të ligjshme e të sigurt. Këtë duhet t’u japim".


Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)