Braçe: Berisha e privatizoi
atdheun ia dha 5 biznesmenëve

TIRANE - Seanca e Kuvendit ka nisur me debate mes ministrit të Financave dhe deputetit të PS-së Erjon Braçe për pr/ligjin që lidhet me dhënien me koncesion të shërbimit të skanimit të kontenierëve dhe mjeteve të tjera që hyjnë e dalin në territorin e Republikës së Shqipërisë por dhe për taksimin me 10% të tokës së dhuruar. 

ORA 12: 30 BALLA: DESHTOI PRIVATIZIMI I 4 HEC
Deputeti i PS-së Taulant Balla tha se qeveria ka dështuar në të gjitha proceset e privatizimit, madje e quajti të dështuar privatizimin e 4 HEC, dhe ngriti pyetjen nëse qeveria i ka marrë paratë e privatizimit të 4 HEC, atë të Bistrica1, Bistrica 2, Ulzës e Shkopetit

“Dështuat me privatizime, u turrët të shitni gjithçka për të mbushur arkën bosh të shtetit. I keni marrë paratë e shitjes së 4 HEC? Jo si keni marrë se keni një kontratë që ia dhatë atij mikut të qeverisë që duhej të garantonte paratë në bankë dhe banka nuk ia dha. Ky privatizim dështoi. Nuk e njohim privatizimin e 4 HEC sepse keni dështuar “- tha Balla.

Duke iu drejtuar deputetëve të PD-së Balla tha se po bëhen pjesë e kësaj skeme korrupsioni. “Detyra juaj është të votoni pisllëqet që bëjnë këta qeveri. Ju jepni votën këto marrin paratë, 23 qershori për fat të mirë do rilindë Shqipëria, shpresoj që do rilindë edhe ju, votues të korrupsionit të kësaj qeverie.”

ORA 11:50 BRAÇE: NUK FLASIM PER DAMIR FAZLLIÇ, POR PER TOKAT E FSHATAREVE 
Diskutohet pr/ligji për taksimin e tokës së dhuruar. Sipas ministrit të Financave Ridvan Bode dhurimi i tokës duhet taksuar “sepse ka nga ata që janë bërë milionerë.”

"Kjo është mënyra për të pastruar paratë. Një nga kryetarët e listave që ke nxjerrë në rrethe ka bërë miliona dollarë prandaj kemi vënë taksë dhurimit. Merr shiko dosjen e njërit prej tyre ka transaksione tokash. Do vihet taksa për të dekurajuar ata që shesin e blejnë me pasuritë e të tjerëve."- tha Bode.

Duke mos kërkuar taksimin e dhurimit të tokës pasi rrit barrën për qytetarët Braçe tha: “Nuk flasim për Damir Fazlliçin por për tokat e fshatarëve. Nuk kanë fshatarët tanë para të pista për të pastruar”

Eshtë një gropë e thellë, që do i bëjë dëm qytetarëve, që do detyrohen ta mbushin siç e mbushën edhe në 2007. Këta i shkojnë fshatit vetëm për fushata. 10 përqind tatim mbi bazën e refernecës, edhe kur dhurohet toka nga babai te i biri, duke bllokuar një proces normal. Ju vini sot dhe thoni që vetëm kur e shet nuk tatohet dhe kur e dhuron tatohet. Kërkojmë që çdo familje të mos tatohet kur dhurohet brenda trungut familjar, pasi kthen pronën në një zinxhir gjaku për konfliktet. Që Saliu është kapitalist këtë e kuptoj, por një pyetje çfarë do të bëjë me jetën e tij? Çfarë do ta bëni këtë fshatar që mundohet të shesi tokën, cdo bëni më pas do i jepni ndihmë qesharake apo do i thoni puno argat sepse i thoni dil e puno te Partizani Panjohur, apo ikni emigrant? Nuk po zgjidhni problemet mbi tokën."- tha Braçe.

ORA 11: 40 BRAÇE: PO MONOPOLIZONI SHERBIMET PUBLIKE, BODE: NDIHMOJNE TRANSPARENCEN
Deputeti i PS-se Erjon Braçe akuzon se qeveria ka monopolizuar shërbimet publike dhe po përqëndron pasuritë e atdheut në duart e 5 biznesmenëve .

 "Berisha po privatizon atdheun. Mbi 1 miliardë euro i paguajnë qytetatër pas asnjë shkak. Filozofia juaj e shndërrimit të atdheut publik në një atdhe privat. Po rripni  qytetarët, vit për vit. I keni shfrytëzuar 8 vite dhe do i shfrytëzoni 15 vite. Kjo praktikë duhet të marrë fund. Atdheun kthejanu shqiptarëve. Atdhe të 5 biznesmenëve privatë nuk mund të ketë, ai duhet të jetë publik. Nëse nuk e bëni ju do e bëjmë ne. Shqiptarët duhet të marrin shërbime me kosto të ulët në këtë vend”- tha  Braçe

Nga ana e tij ministri i Financave, Ridvan Bode tha se po firmoset kontratë koncesionare me një kompani  ndër më të mëdhatë në botë, në prodhimin e teknologjisë dhe imazherisë dhe nëpërmjet koncensioneve synohet të luftohet evazioni, kontrabanda dhe korrupsioni i administratës.

"Kjo është pjesa thelbësore e menazhimit të doganave, kontrolli fizik i mallave dhe atëhere nuk do të ketë nevojë për grupe taksidarësh që deklarojnë ose jo të vërtetën, por do të ketë një kompani që do të kontrollojë mallrat që dalin nga Shqipëria" tha Bode.
 
DO HIDHET NE VOTIM, DEKRETI PER FATOS LULON
Do hidhet në votim dekreti i presidentit Nishani për emërimin e gjjyqtarit Fatos Lulo (foto) në Gjykatën Kushtetuese, pas kërkesës së kryetares së Parlamentit.

Nishani dekretoi Lulon, pasi kryetarja e Parlamentit dy ditë më parë i kërkoi të plotësonte vendin vakant duke e konsideruar të ezauruar kandidaturën e mbetur për më shumë se 10 muaj në sirtaret e Kuvendit, të Artan Hoxhës.

Ndonëse vetëm pak ditë më parë vetë kreu i shtetit kërkoi që të hidhej në votim dekreti i ish-presidentit Bamir Topi, dje me një dekret të tij ai propozoi pikërisht emrin e Lulos për vendin vakant në Kushtetuese.

Kur pritej votimi i Artan Hoxhës në Parlament, duket se mazhoranca po plotëson vendet vakante në institucione me emra që ngjallin kontestime nga opozita, kjo pas sigurisë që ka krijuar për plotësimin e votave për miratimin e ligjeve dhe dekreteve që kërkojnë 71 vota.

PASURIA E GJYQTARIT

Në deklarimin e pasurisë që ka bërë, renditet një ndër gjyqtarët e pasur në vend. Një ndihmë të madhe në shtimin e pasurisë së tij ka dhënë dhe motra e Lulos, e cila punon në një post të rëndësishëm në firmën e ndëtimit “Piguli”.

Është pikërisht motra e tij, e cila i ka dhuruar rreth 90 milionë lekë si dhe zyrë me vlerë 120 mijë euro. Ndërkohë që në pasurinë e tij llogaritet edhe një pikturë me vlerë 50 milion lekë të vjetra.

PASURIA E FATOS LULOS:

▪ Apartament banimi me sipërfaqe 109 metër katror me vlerë 9.3 milion lekë, Tiranë
▪ Ambjent zyre me sipërfaqe 74 metër katror me vlerën 13.8 milion lekë, Tiranë
▪ Pikturë me vlerën 5 milion lekë.
▪ Gjendje cash e krijuar nga kursimet vjetore familjare në shumën 1 milion lekë
▪ Gjendje cash 8.791 milion lekë dhuruar nga motra
▪ Gjendje e llogarisë së pagesës në Credins Bank 390.626 lekë
▪ Depozitë me emrin e djalit, 100 mijë lekë
▪ Depozitë në emër të djalit, 100 mijë lekë
▪ Gjendje në llogarinë e pagesës në Raiffeisen Bank në emër të bashkëshortes me vlerë 185.967 lekë
-Zyrë me sipërfaqe 170 metër katrorë dhurat nga motra me vlerë 120 mijë euro, Tiranë

DEKRETI I PRESIDENTIT

Në njoftimin e Presidencës thuhet se “Me shkresën nr. Prot. 824, datë 22.04.2013 të dërguar nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, duke konsideruar të ezauruar dekretin për emërimin e z. Artan Hoxha, kërkohet dërgimi i një kandidature të re, e cila të plotësojë kriteret kushtetuese dhe ato të meritës", thuhet në dekretin.

Pikërisht në këtë shkresë të dy ditëve më parë të kreut të Kuvendit presidenti Nishani ka mbështetur nxjerrjen e një dekreti të ri mbi një tjetër ekzistues. Ndërkohë që edhe LSI mbështeste dekretin e Artan Hoxhës për anëtar në Kushtetuese. Në një reagim të tij deputeti Erjon Braçe e konsideron këtë akt të Nishanit se po ndërtojnë shtetin e partisë. “Të dy, Jozefina me Nishan: Po shembin shtetin e së drejtës, po ndërtojnë shtetin e partisë”, shkruan Braçe në facebook.

Redaksia Online
(b.m/sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion