7 muaj më parë ishim në zgjedhje; folëm me njerëzit, dëgjuam, diskutuam, u angazhuam ndaj tyre sy më sy! Na votuan! Mua në fshat siç shumë kolegë të mi! Tani një pyetje kam: Cili qëndrim e propozim i imi dje në kuvend nuk ishte ndarë me bujqit e të tjerë njerëz në fushatë?

Cili? Cili qëndrim e propozim i imi nuk ishte i majtë dhe doli jashtë parimeve të PS? Cili?

Ja çfarë propozova unë dje:

1-Për TVSH-në;

-Rivendosjen e kompensimit 20% për bujkun/prodhimin e tij; barazimin e skemës 20/20, detyrimin e MBU për te paguar vlerën e kompensimit në faturë direkt për bujkun;

-Heqjen e favorit për të gjitha furnizimet brenda hotel/resort me 5 yje brand name;

-Heqjen e favorit për furnizimin me toke për qëllime ndërtimi dhe furnizimin me ndërtesë në shitjen e parë në zonat rezidenciale jashtë zonave urbane dhe në bregdet.

-Ekuilibrimin e skemës se TVSH për librin në furnizime dhe në shitje 20/20;

2-Për AKCIZËN;

-Heqjen e favorit për birrën e prodhuar në sasi deri në 200 mijë hektolitra dhe trajtimin e barabartë në një vlerë akcize në rritje;

-Heqjen e favorit për pijet energjike dhe vendosjen nën regjim akcize për to dhe për pijet me gaz me sheqer të shtuar.

3-Për TATIMIN MBI TË ARDHURAT;

-Ribërjen e tabelës së tatimit progresiv mbi të ardhurat nga puna dhe llogaritjen e tij për të ardhurat nga dyshemeja 40 mijë lekë, për rrogat nga 40 mijë deri në 200 mije lekë, duke lehtësuar shtresën e mesme të ulet nga barra tatimore;

-Vendosjen e një afati brenda 6 muajve të parë të vitit për të miratuar një ligj të ri për tatimin mbi të ardhurat për të shtrirë tatimin progresiv mbi të ardhurat nga kapitali.

4-Për TAKSAT KOMBËTARE;

-Heqjen e përjashtimit nga taksa për qumështin pluhur, për fabrikat e përpunimit të qumështit;

-Vendosjen e taksës për vajin e palmës në përdorimin e tij në prodhimet e bulmetit e jo vetëm.

Qëndrime:

-Nuk rriten tatimet e taksat mbi imputet bujqësorë kur çmimet e tyre për të 8 muaj rresht janë në rritje-qëndrimi im për Tvsh 10% për imputet bujqësore;

-Nuk mundet që furnizimi me naftë për jahtet të jetë i favorizuar me një barrë fiskale më të ulët se sa çdo furnizim tjetër.

Unë nuk i le njerëzit në baltë!