TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka vijuar denoncimin e keqmenaxhimit që i është bërë kompanisë “CEZ Shpërndarje”, në periudhën kur menaxhohej nga kompania çeke.
 
Braçe ka bërë publik në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” raportin e hartuar nga vetë Entit Rregullator i Energjisë, sipas të cilit kompani të tjera, të lidhura me pushtetin e Kryeministrit Berisha, kanë përfituar shuma të mëdha parash, për mbledhjen e borxheve të këqija të akumuluara nga kompania.
 
"Kështu “Berishët” vodhën dhe rropën CEZ! Kjo është tabela e një Raporti të mbajtur sekret mbi situatën e CEZ. Sjell një fakt shumë të rëndësishëm: Shumat e parave të marra nga një grup kompanish për mbledhjen e borxheve të qytetarëve, bizneseve, kompanive dhe institucioneve buxhetore ndaj CEZ. Shihni sa kanë marrë, nga 23 deri në 54 % të çdo shume borxhi të mbledhur. Miliona euro të zhvatura në këtë mënyrë”, shkruan Braçe.
  
Por këto nuk janë kompanitë e vetme të lidhura me qeverinë shqiptare apo kompaninë çeke, që sipas Braçes, kanë përfituar miliona për shërbimet që i kanë bërë 'CEZ Shpërndarje'.
 
"Janë: Mercl, Constal, Elite, ATU, dhe CE2 SERVICES, CE2 MANAGEMENT; kompanitë të cilat nga Korriku 2012 deri në Janar 2013, kanë arkëtuar qindra milionë lekë në këtë mënyrë. Kur muaj më parë e denoncova këtë zhvatje, në dijeni të kontratave, por në pa mundësi të njohjes së shifrave, njëri prej klientëve të Berishës dhe njëherësh pronari i dy kompanive të mbledhjes së borxheve, mu hakërrye me një padi gjyqësore. Madje, madje, i dërgoi kryesisë së PS dhe një fletë-rrufe të madhe. Por ja ku e keni të vërtetën, zhvatjen marramendëse të kompanisë më të madhe në vend. Ju thashë edhe dje: kjo histori zhvatje prej klientëve të Sali Berishës meriton hetim të menjëhershëm. Tani!”, thekson Braçe.
 
Një tjetër shqetësim, sipas deputetit Braçe, është mungesa e transparencës sa i përket bilancit energjetik aktual të vendit.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)