TIRANE- Në Kuvend po zhvillohet interpelanca e Ministrit të Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, kërkuar nga deputeti socialist, Erjon Braçe.

 “Nuk e mendoja kurrë, z.Haxhinasto, që do ta ndiqnit Berishën deri në greminë! Natyrisht, nuk jeni ju fajtori kryesor, por keni qënë Zv.Kryeministër kur u morën vendimet e tani thoni se faji është i parashikueshmërisë sesi do ecte në Shqipëri, një nga katër kompanitë më të mëdha të energjisë, ÇEZ”.

Kështu i është drejtuar sot dhe me tone të larta, deputeti socialist Erion Braçe, zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, gjatë një debati tepër të acaruar në Kuvend, për dështimin e kompanisë ÇEZ Shpërndarje dhe problemet e lidhura me të.

Braçe denoncoi për një kohë kohë të gjatë, shoqëruar me dokumenta, kontrata, shifra, detaje, atë që ai e quajti si “aktivitetin kriminal në menaxhimin e KESH-it nga Sali Berisha” me mbështetjen e ÇEZ-it, për t’i zhvatur qytetarët në mënyrën më barbare.” “Problemi më i madh për KESH-in është mënyra sesi u privatizua, tha Braçe, duke treguar Fletoren Zyrtare: “Me faqe të bardha, në errësirë të plotë të këtij Kuvendi, me dokumenta që nuk ekzistonin!”

“Gjendja në KESH ka ardhur duke u përkeqësuar”, shtoi ai, “borxhet katastrofike po rriten. Piramida e borxhit po arrin në 1.2 miliardë USD. Edhe privatimi i 4 hec-eve do të rrisë kostot mbi KESH-in, sepse nesër privati do t’ia shesë energjinë KESH-it, pra, shtetit, me një çmim më të lartë; pra, sheti do t’ia blejë energjinë privatit duke e favorizuar atë dhe duke u bërë barrë për veten.

Por, kjo nuk është kostoja përfundimtare. Edhe arbitrazhi i ÇEZ-it,” theksoi deputeti socialist, “do të shkojë në favor të Berishës. Dje, u taksën 500 mijë USD të tjerë, që do të shkojnë tek lobisti “Patton Boggs”, që paguan Qeveria”.

Redaksia Online
(ar.sh/shqiptarja.com)