Braçe:Nishani i revoltuar duhet
të japë llogari për paratë publike

TIRANË - Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar në Facebook, duke theksuar se të revoltuar me presidentin duhet të jenë shqiptarët, pasi ka marrë më shumë se 1.2 milionë dollarë vetëm për rikonstruksionin dhe mobilimin e vilës ku banon.

Braçe i është përgjigjur akuzave të presidentit Bujar Nishani, se "mazhoranca e re është duke shpikur dhe duke e kërcënuar dhe shantazhuar atë". Sipas Braçes, nuk është shpifje dhe as shantazh, të flasësh për shpenzimet e ekzagjeruara dhe të pajistifikuara të Nishanit.

“Presidenti i Republikës paska qenë sot shumë i revoltuar. Sipas tij, qenka shpifje të flasësh për: Shpenzimet e tij të financuara nga para publike me vendim të qeverisë. Rasti i fundit ishte dje, kur qeveria vendosi t’i shtojë shpenzimeve korrente të presidentit 50 mijë dollarë të tjerë. Presidenti thotë se ato para qenkan për Samitin e Presidenteve të Ballkanit Perëndimor, që do u zhvilloka në një natë në Tiranë. T’i marrim me rradhë gjërat:

E para, shpenzimet e presidentit kanë nisur të shqetësojnë qysh kur qeveria, në harkun e një viti, me tre vendime i ka dhënë atij:

herën e parë 516 mijë dollarë;

herën e dytë 488 mijë dollarë;

herën e tretë 270 mijë dollarë.

Të gjitha për rikonstruksionin dhe mobilimin e Vilës 4, vilë ku do të banojë Presidenti i Republikës. Në total arrin në rreth 1.274.000 dollarë.

Nuk e di, por të revoltuarit duhet të ishin shqiptarët. Më tregoni një shqiptar tjetër në këtë vend, që do të shpenzonte në këtë vakt krize, 1.2 milionë dollarë për shtëpi e mobilim. Pastaj, ç’është kjo shtëpi që u rikonstruktoka e u mobiloka me 1.2 milionë dollarë? Me kaq para pallati bëhet nga e para”, ka thënë deputeti socialist.

Ai është ndalur edhe tek Samiti i Presidentëve, për të cilin, sipas Nishanit, është sulmuar nga mazhoranca e re. Braçe thotë se shifrat e akorduara për këtë samit janë të pajustifikuara, pasi për një natë, një person i bie që të harxhojë 5 mijë dollarë.

“E dyta, shpenzimi për këtë Samitin:

E para, besoj se Presidenti e di se paratë janë nxjerrë nga fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit; besoj gjithashtu se prekja e fondit rezervë në këtë rast është krejtësisht e paargumentuar në referencë të arsyeve ligjore që ka paraparë ligji.

E dyta, për çfare do shpenzohen këto para? Se me lejoni t’u them që 5000 dollarë për kokë për një natë janë ca si shumë për një vend si ne. Duke marrë me shumë seriozitet faktin se duhet të jemi dinjitozë në organizimin e të tilla “samiteve”!!!!!”, thotë Braçe.

Sipas tij, “revoltimi” i Nishanit bëhet për t’i ikur vendimeve të paligjshme dhe të njëanshme, duke nisur që nga dekreti për dhurimin e SHQUP-it, Partisë Demokratike.

“Nisur nga sa më sipër, më duket tërësisht e kotë revolta e presidentit. Në mos më duhet të them që “revolta” u shpik në një moment vetëviktimizimi, si zgjedhje per t’i ikur përgjigjieve të mëdha për vendimet e tij të paligjshme, por tërësisht të njëanshme”, thotë Braçe. 

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin Librazhd- Prrenjas, trajleri del nga rruga, s'ka të lënduar

Aksident në aksin Librazhd- Prrenjas, trajleri del nga rruga, s'ka të lënduar