Jeffrey Epstein kishte të paktën dhjetë bashkëpunëtorë. Këtë e ka konfirmuar FBI, në një shkëmbim email-esh të brendshme të vitit 2019, gjatë mandatit të parë presidencial të Donald Trump. Problemi është se emrat e shtatë prej këtyre të dyshuarve kanë mbetur sekret dhe nuk dihet nëse ndonjëherë janë marrë në pyetje, akuzuar, gjykuar apo ndjekur penalisht.
Vëmendjen mbi këtë detaj të nxehtë e ka tërhequr kongresmeni Ro Khanna, bashkautor i ligjit Epstein Files Transparency Act, i cili detyroi administratën Trump të publikonte dosjet.
Presidenti amerikan reagoi ashpër në rrjetin e tij Truth: “Një tjetër gjueti shtrigash. Demokratët kanë punuar me Epstein-in, jo republikanët. Publikoni emrat, turpërojini”. Në një email dërguar gazetës Repubblica, Khanna denoncoi: “Ky publikim ishte një bombë. Dosjet përfshijnë një email ku përmenden ‘10 bashkëpunëtorë’, edhe pse Kash Patel kishte dëshmuar se nuk kishte informacione të besueshme që tregonin se Epstein trafikonte gra me ndonjë tjetër përveç vetes”. Patel është aktualisht drejtor i FBI-së, të cilin Khanna e akuzon se ka gënjyer.
Email-i i përmendur nga kongresmeni demokrat mban datën 9 korrik 2019, ora 11:15, dhe vjen nga njësia e FBI-së “Cachtu” e ngarkuar me ndjekjen e krimeve kundër fëmijëve dhe trafikut të qenieve njerëzore.
Në të ngrihej kjo pyetje për eprorët: “Kërkojmë një përditësim mbi 10 bashkëkonspiratorët deri sot. Mund të na thoni sa prej tyre i keni lokalizuar, marrë në pyetje dhe thirrur me mandat përpara jurisë së madhe? Mendoj se totali është 5 në Nju Jork, 1 në Karolinën e Veriut, 1 në Boston dhe 3 në Florida”.
Rreth një orë më vonë, në 12:21, një agjent i cili prezantohet si Sean përgjigjet: “Nga 10 bashkëpunëtorët, 3 janë lokalizuar në Florida dhe thirrur me mandate; 1 në Boston, 1 në Nju Jork dhe 1 në Connecticut. 4 nga 10 nuk janë gjetur por po i kërkojmë, një është një biznesmen i pasur nga Ohio; 3 të mbeturit janë jashtë kapacitetit tonë. Ekipi ynë fluturon sonte ose nesër në mëngjes në disa zona të Floridës për të marrë në pyetje rreth 25 viktima”. Një email tjetër zbulon tre nga dhjetë emrat: ish-e dashura e Epstein, Ghislaine Maxwell; agjenti i modeleve Jean-Luc Brunel; dhe CEO-ja i Victoria’s Secret, Les Wexner. Shtatë të tjerët janë censuruar.
Sipas kongresmenit Khanna, ky është një zhvillim kyç për të paktën tre arsye. E para, të njihen emrat e bashkëpunëtorëve dhe sidomos nëse ndonjëherë janë marrë në pyetje apo ndjekur penalisht, për të vërtetuar nëse kishin kryer krime ose zotëronin informacione të tjera të rëndësishme. Këtë e kërkojnë viktimat. E dyta, nëse email-et e brendshme të FBI-së nuk kanë pasur ndonjë vazhdim, të kuptohet pse. Kjo do të ishte thelbësore edhe në dritën e asaj që kishte ndodhur më parë në rastin Epstein. Në vitin 2007, prokurorja Ann Marie Villafaña kishte kryer hetimet dhe shkruar një dokument prej 83 faqesh me 60 akuza. Epstein kishte pranuar një marrëveshje, e miratuar nga prokurori Alexander Acosta, i cili më vonë u bë sekretar i Punës në administratën e parë Trump. Në vitin 2018, Miami Herald kishte publikuar një seri investigative që denonconte marrëveshjen dhe Epstein u akuzua sërish në Nju Jork. A ishte dhënë mbrojtje edhe për bashkëpunëtorët e panjohur? Arsyeja e tretë është të vërtetohet nëse Patel ka gënjyer dhe pse.
“Amerikanët meritojnë të vërtetën. Refuzimi i Departamentit të Drejtësisë për të zbatuar ligjin që kanë miratuar në Kongres dhe për të publikuar të gjitha dosjet është një pengesë ndaj drejtësisë. Duhet të publikojnë edhe pyetjet e FBI-së ndaj dëshmitarëve që përmendin burra të tjerë, në mënyrë që publiku të dijë kush ishte i përfshirë. Departamenti shpenzon më shumë kohë duke mbrojtur rrethin e Epstein-it sesa të mbijetuarit”, thotë tani Khanna. Ai shtoi: “Kjo është arsyeja pse unë dhe kongresmeni Massie po përgatisim një kallëzim për shpërdorim ndaj Kongresit kundër sekretares Bondi. Të mbijetuarit dhe publiku kërkojnë transparencë dhe drejtësi”. (La Repubblica)
Komente






