Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit për rritjen e çmimit të naftës në vend për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke akuzuar operatorët e hidrokarbureve për abuzim me tregun.

Në një deklaratë publike, Braçe shprehet se përfaqësues të tregut të karburanteve, që sipas tij “veprojnë si shoqatë”, kanë paralajmëruar rritje të çmimit me 20 lekë brenda 48 orëve dhe deri në 40 lekë për litër në vijim, duke e justifikuar këtë me lëvizjet në bursë.

Sipas deputetit socialist, ky argument nuk qëndron, pasi çmimi i naftës në pompë është aktualisht 173 lekë për litër dhe, siç thekson ai, ka mbetur i pandryshuar për një vit të tërë, pavarësisht luhatjeve në bursë, si edhe zhvlerësimit të dollarit dhe euros.

“Kur abuzimi ulëret, kundërmasa duhet të jetë e shpejtë dhe efektive”, citohet të ketë thënë Braçe, duke shtuar se në të kundërt qytetarët dhe qeveria do të paguajnë koston e abuzimit, ndërsa operatorët do të përfitojnë.

Ai rikujtoi gjithashtu se Bordi i Hidrokarbureve, i ngritur gjatë kohës së luftës në Ukrainë, nuk është shpallur asnjëherë antikushtetues dhe, sipas tij, nëse funksionon në mënyrë profesionale dhe me fokus interesin publik, mund të shërbejë si një nga mekanizmat për të frenuar abuzimet në tregun e karburanteve.

Postimi i plotë: 

Si, si, do rrisni çmimin e naftës??

Karteli i hidrokarbureve që vepron si shoqatë, paska thënë që do rrisë çmimin me 20 lekë për 48 orë, deri në 40 lekë për litër në vijim!

Arsyeja e tyre – bursa!!

Kur i toleron, këta i bëjnë të gjitha, të bëjnë edhe për budalla!

Çmimi i naftës sot në pompë është 173 lekë;

është i tillë prej një viti e nuk ka lëvizur një ditë të vetme!

Ndryshoi bursa, u rrënua dollari e euro dhe çmimi i këtyre nuk ndryshoi, zero, asnjë qindarkë!

Tani çmimi do ndryshojë për 48 orë nga lufta?!

Ua thashë edhe kolegëve të mi në Partinë Socialiste sot në mëngjes: kur abuzimi ulëret, kundërmasa duhet të jetë e shpejtë dhe efektive!

Ndryshe ne do paguajmë abuzimin si qytetarë e si qeveri, këta thjesht do pasurohen!

E fundit gjë;

Bordi i Hidrokarbureve që u përdor gjatë kohës së luftës në Ukrainë – nuk është shpallur antikushtetues ndonjëherë!

Nëse do jetë profesional dhe me fokus interesin publik, mund të jetë një nga kundërmasat ndaj abuzimit.