Ish-zëvendës kryeministri Erion Braçe mbështet taksimin për të pasurit dhe lehtësimin e kësaj barre për klasën e punëtore dhe shtresën e mesme. Këtë Braçe e ka bërë të qartë përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar foton e Alexandria Ocasio-Cortez, kongresmene dhe politikane e njohur amerikane, e cila në ceremoninë e 'Met Gala', në fustanin e saj kishte shkruar: "takso të pasurit".

Teksa poston këtë foto, Brace thotë se në Amerikë nuk kanë kompleks për ta thënë këtë dhe madje edhe për ta bërë. Ai ka publikuar edhe një mesazh të Presidentit të SHBA, Joe Biden, i cili tha se një mësues nuk duhet të paguaj më shumë taksa se një kompani nafte.

"Ne do të heqim taksat për klasën e mesme, duke u siguruar që korporatat e mëdha e të pasura të paguajnë atë çka është e drejtë”, citon Braçe, Biden.

Sipas Braçes, nevojiten politika të qarta që bëjnë drejtësi fiskale, duke favorizuar klasën punëtore dhe shtresën e mesme.

"Takso te pasurit! Sepse në Amerikë nuk kanë pikën e kompleksit për ta thënë këtë! Madje edhe për ta bërë këtë!

2021 Met Gala është rikthyer dje në New York dhe përfaqësuesja demokrate në Kongres e Bronksit, ishte veshur kështu, duke “thirrur”: takso te pasurit!

Po dje, Presidenti Biden, postoi ne Twitter:

“Fakti është se zjarrfikësi, nuk duhet të paguajë më shume taksa se një kompani e tërë IT. Një mësues nuk duhet të paguajë më shume taksa së një kompani nafte. Ne do te heqim taksat për klasën e mesme, duke u siguruar që korporatat e mëdha e të pasura të paguajnë atë çka është e drejtë”.

Nuk ka “specie ne zhdukje”, por politika të qarta që bëjnë drejtësi fiskale duke favorizuar klasën punëtore dhe shtresën e mesme!", shkruan Braçe.

Në vendin tonë në fuqi është taksa progresive që parashikon 0 taksim për pagat deri në 30 000 lekë; 13% taksë për pagat nga 30 000 në 150 000 lekë dhe 23% taksë për pagat mbi 150 000 lekë.