Sot opozita protestoi kundër drogës me në krye kryekomunarin e Lazaratit dhe me një kupole që ju i quani “gjenerale dhe kolonele” që kanë qenë në krye të Policisë së Shtetit në kohën e demokratëve. A ju duket paradoksale kjo ?
Të protestosh kundër një qeverie që godet trafikun e drogës është për të ardhur keq, qesharake. Nuk e konsideroj kaq qesharake prezencën e kryekomunarit të Larazatit, dhe atyre që kanë qenë kupola e policisë së shtetit deri dje. Secili prej tyre ka qenë nga një sezon mbjellje, kultivimi, korrje, trafikimi në atë zonë. Mbyllja e syve përkundrejt shpërblimeve të majme, tregojnë se tani është koha për një hetim të qartë. Janë bërë njësh kundër një qeverie që po godet trafikun e drogës. Shqetësohen për karrigen e kryeministrit dhe jo për të luftuar trafikun e drogës. Berisha sot në Kuvend i doli në krah kryekomunarit të Lazaratit. Aty dihej që mbillej drogë. Ata kryekomunarë në gjithë vendin ku gjendej një rrënjë hashash, dy tre apo më shumë, arrestoheshin. Ndërsa me Lazaratin nuk u bë asgjë, ligji nuk funksionoi. Nuk ka një rast të vetëm në 8 vitet e qeverisjes së tij, që policia e shtetit e drejtuar nga këta njerëz të kenë ndërmarrë një operacion policor për Lazaratin. Kanë qenë qeveritë socialiste që e kanë bërë këtë. Qeveria jonë ka marrë përsipër të godasë dhe të angazhohet kundër kultivimit të hashashit në Lazarat. Propozimi im është ngritja e një Pakti kombëtar për të çrrënjosur drogën nga Lazarati. Aktiviteti kriminal duhet goditur.
Ky është sezoni i fundit ku mund të dallohet korrja e Berishës. Ajo që po goditet nga shtatori e këtej është mbjellja e fundit. Mbaron këtu kjo histori, gjithsecili duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e vet. Kjo ndërhyrje do të jetë në çdo vend ku ka tentativa për të kultivuar drogën. Do të ndëshkohen deri në fund ata që tokën e këtij vendi e përdorin apo e japin me qira për qëllime të tilla kriminale, të kultivimit të bimëve narkotike.
Është kërkuar nga opozita largimi i qeverisë dhe nën zë është pritur që të kishte dhe një dorëheqje të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ? A mendoni ju zoti Braçe se përgjegjësia është e qeverisë në këtë rast kur faktet kanë hedhur poshtë akuzat e deritanishme në lidhje me uljen e avionit në Divjakë?
Këtë opozitë nuk e shqetëson trafiku i drogës, por marrja e karriges. Qëllimi i tyre nuk është goditja e trafikantëve të drogës, por kreut të qeverisë. Divjaka u përdor në Kuvend për të fshehur Lazaratin. Aty nuk është mbjellë asnjë rrënjë hashash prej vitesh.
A ka vend për paralelizëm në këtë rast me ngjarjen e Gërdecit, pra ish-kryeministri kërkon dorëheqjen e qeverise në një kohe kur nga vete ai nuk pati përgjegjës për këtë tragjedi dhe as të dorëhequr?
Gërdeci është një rast që ka 26 të vrarë brenda, është simboli i krimit shtetëror në këtë vend. Është një rast ku një qeveri u implikua në një krim. Nëse do bëni paralele mes gërdecit dhe kësaj ngjarje, do themi se cili djalë kryeministri ishte i implikuar në Divjakë me trafikun e drogës. Cili kunat kryeministri ishte i përfshirë në ngjarjen e Divjakës? Nuk ka. Përkundrazi në Gërdec, kunati i Berishës, ishte një nga administratorët që përfaqësonin palë të ndryshme atje. Familjarë të kryeministrit apo pjesëtarë të qeverisë ishin të implikuar direkt në Gërdec. Një sipërmarrje kriminale që i mori jetën 26 shqiptarëve. Na thanë nëse donim që të dëgjonim ata që protestonin sot jashtë parlamentit. Po për 21 janarin. Ku ata ish-drejtues, ishin të veshur me uniforme dhe të pajisur me pushkë, me ato pushkë që na vranë në 21 janar. Para ca kohës u dukën ca foto ku Topalli bënte qitje në poligon më automatik mp3 për të treguar, se në 21 janar ju vramë dhe ju vrasim.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)