Deputeti socialist Erion Brace ka kërkuar në Komisionin e Ekonomisë që të miratohen instrumentet dhe ndryshimet ligjore të domosdoshme për të kontrolluar flukset e investimeve të huaja në vendin tonë, sidomos ato që vijnë nga vendet jo mike, siç është Rusia.
Kjo pasi sipas Braçes, agresioni ekonomik rus është në rritje dhe muajt e fundit ka shtuar kontrollin në ndërmarrjet italiane.
“Agresioni rus ka ardhur në kufijtë tanë. Ka një trefishim të kontrollit të ndërmarrjeve italiane, për gjashtë muajt e fundit të vitit që shkoi në Itali, në Itali, që ka një kontroll shumë efikas sesa ne që s'kemi asgjë në këtë rast. Kanë ardhur në Itali, por kontrollin e kompanisë italiane që pastaj ja ku e kam bregun përballë. Për të ushtruar aktivitetin e tyre edhe që ne jemi atraktiv për ta, vazhdojmë të jemi atraktiv për ta, do të thotë, kontroll, ë, edhe mbi ekonominë tonë. Që do të thotë na duhet instrumenti që s'e kemi për kontrollin e fluksit të kapitaleve të huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, veçanërisht nga vende jo-mike. Besoj t'i kemi një kohë të dytë për të diskutuar pikërisht për këtë problematikë dhe patjetër, bashkë me qeverinë të hartojmë gjërat e duhura për t'i dhënë vëmendje”, tha Braçe.
Më shumë kontroll ka kërkuar edhe për platformat mashtruese, si Forex. Teksa foli për këto platforma që mashtrojnë qytetarët europianë nga territori i Shqipërisë, Braçe tha se ato po nxijnë imazhin e Shqipërisë në sytë e vendeve të BE-së.
“Ka tre vite që ngremë shqetësimin e platformat mashtruese FOREX, po bëhemi gazi i botës, dhe një seri institucionesh që bëjnë pas nga AMF, tatimet, Inteligjenca financiare apo policia të bëjnë pas e të mos bëjnë asgjë. Duhet të zbulohen me 2 investigime të huaja e vendase. këta individë janë në zemër të Tiranës, në ambientet e luksit, në sy të të gjithëve. Janë këto palaço që kriminalizojë vendin dhe imazhin e financiar të këtij vendi”, kërkoi Braçe.
Lajmi kryesor:
Braçe te Ekonomia: E paprecedentë mos-miratimi i rezolutave për AMF dhe Konkurrencën! Ka marrëveshje mes kompanive të sigurimeve në dëm të qytetarëve








