TIRANË, 24 Nëntor/ATSH/- Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe kërkoi të hënën që të bëhen publike faturat e energjisë elektrike për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e PD, Lulzim Basha. Braçe, duke folur në komision për gjendjen e sistemit energjitik, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, tha se Berisha dhe Basha nuk janë parë asnjëherë në sportelet e pagesave të energjisë, për të dhënë shembullin e tyre. Sipas tij, nëse e bëjnë një herë të vetme këtë gjë le të kundërshtojnë çdo gjë politikisht tonën.
"Duhet të zhbëjmë të gjithë vendimmarrjen kriminale të Sali Berishës dhe të gjithë atyre që kanë menaxhuar bashkë më të sistemin elektroenergjitik shqiptar. Nuk ka më kuptim që ne të paguajmë edhe për vendimet e atij. Do ta besoj këtë njeri që i dhimbset buxheti i shqiptarëve, kur ta shikoja njëherë në radhën e pagesës së energjisë elektrike për të dhënë shembullin e tij konkret. E keni parë ndonjëherë Berishën në 22 vjet të shkojë të hyjë dhe të trokasë në sportelin e energjisë elektrike? T'u japë një shembull gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe të thotë: Ja unë po paguaj energjinë elektrike. Bëjani njëherë publike faturën e energjisë elektrike", deklaroi Braçe
./a.gjonaj//m.m/