Brahim Diaz ka reaguar për herë të parë pas penalltisë së humbur në finalen e Kupës së Afrikës kundër Senegalit, e cila i kushtoi Marokut mundësinë për të fituar trofeun pas më shumë se pesë dekadash.
Ylli i Real Madridit gaboi në ekzekutimin e penalltisë, pasi tentoi një gjuajtje të rafinuar me 'panenka' që nuk përfundoi në rrjetë. Pas ngjarjes, futbollisti ka zgjedhur kanalet e komunikimit për t’iu kërkuar falje tifozëve marokenë dhe për të shprehur zhgënjimin personal.
“Shpirti më dhemb. E kam ëndërruar këtë titull falë dashurisë që më keni dhënë. Luftova me gjithçka që kisha, me zemër mbi të gjitha”, shkroi Diaz, duke shtuar se merr përgjegjësinë e plotë për gabimin: “Dështova dhe marrë përgjegjësi të plotë. I kërkoj falje të gjithëve me tërë zemrën.”
Mesfushori theksoi se do të përpiqet të rikthehet më i fortë, duke u shprehur se dëshiron t’ua shpërblejë tifozëve besimin dhe mbështetjen: “Do të vazhdoj derisa ta rikthej të gjithë dashurinë dhe krenarinë për njerëzit e mi të Marokut.”
Ndërkohë, pas finales, Diaz është përballur me kritika të shumta në rrjetet sociale, ku disa tifozë e akuzuan madje se e kishte humbur penalltinë me qëllim, pretendime që nuk janë të bazuara dhe që u përhapën kryesisht online.
Shumë nga yjet e sportit dhe trajnerë të futbollit i kanë dalë në krah Diazit në këto kohë të vështira.
Komente






