RABAT - Në kryeqytetin e Marokut, Rabat, e diela pritej të ishte një ditë feste për vendasit, por nuk ndodhi kështu. Senegali mposhti 1-0 Marokun në shtëpinë e këtyre të fundit dhe për herë të dytë në histori është fituesi i Kupës së Kombeve të Afrikës.

Ndeshja i prodhoi të gjitha, teksa mes dramës dhe emocioneve Brahim Diaz nuk mundi të bënte heroin për Marokun. Mesfushori i Real Madridit, i cili refuzoi Spanjën për të luajtur me kombin nga ka origjinën i ati, gaboi penalltinë brenda shtesës së kohës së rregullt.

Përpara se ndeshja të mbërrinte në këtë pikë, dy portierët bënë mirë dhe mbajtën portën të paprekur deri në fund. Mirëpo kaosi erdhi në minutën 90+8, kur kryesori Jean-Jacques Ndala akordoi 11 metërsh për Marokun edhe pas konsultës me VAR.

Kaq u desh që trajneri i Senegalit, Pape Thiaw, të tërhiqte ekipin nga fusha dhe ta dërgonte në dhomat e zhveshjes. Veterani i senegalezëve, Sadio Mane, doli kundër këtij veprimi dhe qëndroi në fushë, madje vrapoi për në zhveshtore dhe bindi ekipin që pas dhjetë minutash refuzim të kthehej në fushë, paçka se ishin kundër 11 metërshit dhe tifozët protestuan dhe pati një sherr mes tyre dhe sigurisë.

Gjithçka u rikthye në normalitet dhe nga 11 metra largësi u paraqit Brahim Diaz. Me peshën e fatit të një kombi mbi shpinë, Diaz provoi të dhuronte spektakël dhe goditi me "panenka", por Edouard Meny në portë kuptoi gjithçka dhe mbajti Senegalin në lojë.

Heshtje te Maroku dhe festë te Senegali, ndërsa me kohën e rregullt që u mbyll 0-0 të dyja skuadrat iu drejtuan shtesës prej 30 minutash.

Deçizive do ishte minuta e 94-t, teksa mesfushori i Villarrealit, Pape Gueye, dergoi topin në rrjetë me një supergol dhe ktheu festën nga ana e tifozëve të Senegalit. Megjithëse të dyja ekipet patën disa raste, rezultati nuk ndryshoi dhe Senegali ia doli të merrte trofeun e dytë të Kupës së Kombeve të Afrikës në shtëpinë e rivalëve të finales, Marokut.

S.B/S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Beni: 19/01/2026 02:20

    Nuk e tradhtoi Diaz,por vete Maroku e beri vete kete zgjidhje qe te vinin senegalezet n'fushe.Per mendimin tim Senegali duhet te denohet dhe kupen t'ja japi Marokut.Ndeshja ti jepet Marokut 3-0.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 6 Shkurt, 23:06

    Kushtetuesja rrëzon Ramën dhe Balluku pezullohet, jeni dakord me vendimin?