“Para disa muajsh më është bërë e ditur nga Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta lidhur me pretendime e shprehura nga deputeti Tom Doshi se ai kishte patur informacion se po përgatitej një atentat ndaj tij dhe deputetit Mëhill Fufi, pasi persona të afërt me ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe më konkretisht kunati i tij z. Agim Rama, kishin ofruar shuma të konsiderueshme deri në 500 mijë euro për eliminimin fizik të tyre me qëllim destabilizimin politik të vendit duke synuar të fajësojnë për këtë akt Kryetarin e Kuvendit z. Meta.”- tha Braho.
Braho: Kërkova hetim dhe mbrojtjen e dy deputetëve
Kreu i Komisionit të sigurisë shton se pasi është informuar për këtë gjë ka thirrur në zyrë Ministrin Saimir Tahiri dhe kryeprokurorin të cilëve u ka kërkuar që të nisin hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe për marrjen në mbrojtje të dy deputetëve Doshi dhe Fufi.
"Pasi u informova nga z. Meta për këtë çështje, u thirr Ministri i Brendshëm, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, të cilët u vunë në dijeni për informacionin dhe bisedën e bërë nga z. Doshi dhe meqenëse kjo u vlerësua si një çështje që kishte të bënte jo vetëm me një akt kriminal, që po përgatitej, por edhe me shqetësimin se po vihej në rrezik jeta e deputetëve të mësipërm, ju kërkua atyre të zbardhej menjëherë kjo çështje si edhe të viheshin në mbrojtje të dy deputetët që pretendohej se ishin të rrezikuar për jetën."- tha Braho.
Braho: Doshi të dorëzojë provat, në të kundërt të sekuestrohen
Spartak Braho deklaroi se deputeti Tom Doshi duhet të dorëzojë provat e pretenduara për kërcënimin e jetës së tij, ndryshe policia dhe organet e hetimit duhet të bëjnë punën e tyre duke sekuestruar videon.
"Kërkoj që faktet e pretenduara prej tij, qofshin ato video e gjithçka tjetër të cila në qoftë se nuk dorëzohen sa më parë të sekuestrohen nga Policia dhe Prokuroria, së bashku me personat e tjerë të implikuar në këtë çështje t’i denoncojë duke iu drejtuar organeve të drejtësisë për të hetuar vërtetësinë e tyre, për t’i zbardhur së më parë."- u shpreh Braho.