TIRANË - Deputeti i LSI, Spartak Braho ka paralajmëruar sot me burg ish-ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi dhe ish-ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi.

"Me dhimbje, por s’kemi c’bëjmë, dhe meqë këtyre u kanë mbetur shumë torta pa ngrënë, tani po i qajnë, por ndërkohë ka ardhur koha që t'i vjellin këto torta. Dhe parafolësi me gjyslyke (Sokol Olldashi) dhe zoti Halimi do te jepni llogari jo vetëm për tortat që keni ngrënë, por do të jepni llogari edhe me burg. Edhe ti edhe ai tjetri që iku (Olldashi)", tha Braho.

Debati i ashpër shpërtheu gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve në kuadër të akuzave, që ngriti opozita mbi ndarjen e tortës mes PS dhe LSI me rikthimin e Pirro Xhixhos në krye të AKEP.

DISKUTIMI I SHKËPUTUR SOT NË KUVEND

PD, Olldashi: Në pritshmëritë tuaja çfarë do të sjellë emërimi i zotit Xhixho?

PS, Fino: Erdhe me vonesë Sokol.

PS, Harito: Këtë do ta bëjmë me të gjitha aktete e paligjshme, që keni bërë ju.

PD, Olldashi: Po i jepni kompetenca vetes, kur thua të pavlefshme.

PD, Harito: Absutisht jo.

PD, Bylykbashi: Kur është data që u shkarkuan këta persona, që do riktheni në detyrë.

PS, Harito: Në maj të 2013.

PD, Bylykbashi: Ka një afat për të bërë një rikthim.

PS, Harito: Akti juaji ishte i paligjshëm.

PS, Subashi: Çfarë mandati kanë fituar anëtarët e rinj? Mandat i mbetur apo një mandat të ri 5-vjeçar? Kuvendi nuk ka pritur mbarimin e mandateve të anëtarëve të AKEP, por i ka shkarkuar.

PD, Olldashi: Çështja është shumë e thjeshtë, në vazhdën e zënies së insitucioneve duhet të hiqet kryetari aktual i AKEP dhe duhet të rikthehet Pirro Xhixho, sepse në marrëveshjen e ndarjes së tortës së pushtetit mes PS-LSI, ky institucion, si të gjitha institucionet rregullatore, që përfshijnë tregje pronash apo xhiro prej 200-300 milionë USD në vit, këto territore të pushtetit i rregullon më mirë LSI-ja dhe për këto arsye duhet që Pirro Xhixho të kthehet atje.
 
PD, Halimi: Ju thashë që të mos ia jepni fjalën ministres, se do ia nxinte faqen dhe më shumë qeverisë. Ngelet i tillë. Kjo mazhorancë apo një tjetër nuk e bën aktin e pavlefshëm. Mos e vini parlamentin në vështirësira të tilla.

LSI, Braho: Pirro Xhixho nuk la që ta hante tortën ministri përkatës. Këtyre u mbeti në fyt ajo tortë dhe e shkarkuan në momentin që u prish koalicioni. 

PD, Halimi: Doni të realizoni një qëllim të caktuar, të vini Xhixhon aty? Bëjeni, por gjeni mënyrën se si bëhet. Nuk bëhet në mënyrë të kundërligjshme, sepse po vazhdoni me arbitraritet. Qëllimi është, siç tha zoti Olldashi, të ndajnë tortën. 

LSI, Braho: Me dhimbje, por s’kemi c’bëjmë, dhe meqë këtyre u kanë mbetur shumë torta pa ngrënë, tani po i qajnë, por ndërkohë ka ardhur koha që t'i vjellin këto torta. Dhe parafolësi me gjyzlyke (Sokol Olldashi) dhe zoti Halimi do të jepni llogari jo vetëm për tortat që keni ngrënë, por do të jepni llogari edhe me burg. Edhe ti, edhe ai tjetri që iku (Olldashi).

PS, Xhafaj: E kishit 8 vite parlamentin, çfarë sillte kryeministri juaj, vetëm ngrinit kartonin. Kjo është një mazhorancë që edhe mund të kthejë e të ndryshojë. Qeveria ka sjellë një propozim dhe pushteti legjislativ do të marrë vendimin e vet. Është përgjegjshmëri e Kuvendit.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)