Branimir Stojanoviç: “Lista Serbe” është 
urë që lidh Prishtinën dhe Beogradin

Branimir Stojanoviç: “Lista Serbe” është <br />urë që lidh Prishtinën dhe Beogradin
GRAÇANICË - Në prag të votimeve për kabinetin e ri të Qeverisë së Kosovës, në krye me Isa Mustafën, “Lista Serbe” ka nënshkruar marrëveshje me partitë e koalicionit të bashkëqeverisjes, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Sipas kësaj Marrëveshjeje serbëve ju ka takuar një post i zëvendës kryeministrit, dy poste ministrore, në Ministrinë për Komunitete e Kthim dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, si dhe 6 poste të zëvendës ministrave. Pos kësaj, është parashikuar që komuniteti serb të fitoj edhe pozitën e zëvendës drejtorit të Policisë së Kosovës.

Njëri nga tre zëvendës kryeministrat e Qeverisë së re të Kosovës është, Branimir Stojanoviç nga “Lista Serbe”. Stojanoviç është 29 vjeçar dhe deri në momentin e zgjedhjes për zëvendës të kryeministrit, ai ishte kryetar i Komunës Graçanicës.

Gjatë bisedës, për Anadolu Agency (AA) ai theksoi se, me këtë marrëveshje janë caktuar parimet themelore të funksionimit të Qeverisë së re, ndër to edhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të parashikuar edhe me Marrëveshjen e Brukselit dhe që duhet zbatuar në 4 apo 5 muajt e ardhshëm. “Lista Serbe” ka kërkuar edhe rishqyrtimin e privatizimeve të bëra në komunat me shumicë serbe, sikurse edhe të pasurisë së serbëve në territoret e komunave të tjera, me qëllim që të sigurohet një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

“Ne varemi nga buxhetet. Tani, a është buxhet i Kosovës apo është buxhet i Serbisë, është njësoj. Pa përkrahjen e drejtpërdrejtë financiare të cilën e kemi tani, pa këto rroga, ne nuk mund të mbijetojmë. Privatizimi në mënyrën se si është bërë deri tani, medoemos çon kah ajo se, ne nuk do të mund të krijojmë parakushtet elementare për një jetë normale dhe kjo do të rezultonte me zhdukjen e serbëve nga këto treva që, unë mendoj se nuk është në interes të askujt”.

Zëvendës kryeministri i Kosovës është i vetëdijshëm se papunësia është problem i tërë Kosovës por, ai thekson se gjendja e serbëve është më e rëndë në krahasim me shqiptarët. “Për arsye se ne nuk jemi të përfaqësuar aspak në ndërmarrjet publike dhe në institucione, në atë masë që do të duhej të ishim dhe që në fund të fundit, do të duhej në bazë të asaj që është paraparë me Kushtetutë. Kjo është një nga temat kryesore në të cilat ne do të insistojmë. Kjo ndikon në zvogëlimin e mundësive për punësimin e të rinjve që jetojnë këtu dhe përfundimisht, ndikojnë në shpërnguljen e serbëve” thotë Stojanoviç.

”Lista Serbe” ka insistuar edhe në zgjidhjen e problemit të pronës së Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, të cilës, sipas Stojanoviçit, ngjashëm sikurse edhe në gjitha pjesët tjera të ish-Jugosllavisë, gjatë kohës së komunizmit i është marr prona. “Kisha serbe është treguar si faktor stabilizues gjatë tërë këtyre viteve dhe nëse e shikojmë nga ky kjo perspektiv dhe perspektiva e institucioneve në Prishtinë, Kisha Ortodokse Serbe nuk ka qenë faktor rrënues dhe as faktor i cili ka punuar për të destabilizuar marrëdhëniet ndërmjet të serbëve dhe shqiptarëve, përkundrazi, në të shumtën e rasteve ka ndërmarr hapa më të guximshëm dhe para politikanëve për t’i paraprij thirrjes për pajtim dhe bashkëjetesë. Prandaj, mendoj se kisha meriton që këto institucione t’i revanshohen në atë mënyrë që, së paku të mos i mohohen të drejtat elementare të cilat nuk i mohohen askujt.”

Branimir Stojanoviç ka rikujtuar se, droni, ndeshja ndërmjet të Serbisë dhe Shqipërisë dhe gjithë ato që kanë ndodhur pas kësaj ndeshjeje, janë tregues i mirë se sa të brishta janë marrëdhëniet ndërmjet të serbëve dhe shqiptarëve, prandaj për forcimin e tyre duhet të punojnë edhe politikanët shqiptarë edhe ata serbë, duke mos e pritur iniciativën e BE-së. Ai personalisht nuk e ka fare problem të jetë në Qeveri së bashku me politikanët shqiptarë dhe pret që marrëdhëniet të jenë të mira dhe shoqërore.

“Ne kemi obligim ndaj njerëzve të cilët besojnë në një jetë të përbashkët këtu, jo një jetë të izolimit, të tjetërsimit, jo në jetë të pritjes së rastit për t’u revanshuar, sepse kjo është një gjë shumë e rrezikshme. Jo në një jetë e cila do të bazohet në vuajtje dhe pritje të një rasti por, që besojnë në një jetë reale, të sotmen dhe asaj që po ndodh në këtë moment, në mënyrë që të provojmë të ndërtojmë pajtimin i cili nuk do të jetë i lehtë.”

Sipas fjalëve të tij, përfaqësuesit e “Listës Serbe” në Qeverinë e Kosovës mund të jenë urë lidhëse ndërmjet të Prishtinës dhe Beogradit. Ai thekson se nuk është kurrfarë sekreti se , ai ka marrëdhëniet më të mira të mundshme me kreun e politikës së Serbisë, por kjo nuk është kurrfarë teorie e konspiracionit sepse, askush në Beograd nuk e ka ndërmend me udhëheq me popullin shqiptar’. Ai po ashtu shpreh kënaqësinë e tij për faktin se në Prishtinë ekziston vullneti për ta vazhduar Dialogun e Brukselit.

“Këto bisedime asnjëherë nuk ishin të lehta dhe as nuk pres se do të jenë të lehta sepse ka probleme. E dini se 70 vjet nuk janë takuar përfaqësuesit më të lartë të politikës (të Shqipërisë dhe Serbisë), kemi pasur konflikt serioz rishtas, para 15 viteve, ka shumë probleme, shumë çështje të pazgjedhura, presim formimin e gjykatës speciale dhe shumë tema tjera, mirëpo është shumë me rëndësi që të mos shmangemi nga kjo rrugë, sepse rruga drejtë Bashkimit Evropian është rrugë e bashkëpunimit dhe dialogut, pavarësisht se sa i vështirë do të jetë ai.”

Branimir Stojanoviç dëshiron të jetë pragmatik në punën e tij dhe nuk dëshiron të merret me gjërat për të cilat ai nuk mund të vendos. Ai thotë se serbët në Kosovë nuk kanë për qëllim që të rrënojnë jetë e shqiptarëve por, kanë për qëllim ta organizojnë jetën e tyre në mënyrë që të drejtat e tyre elementare të respektohen, ta ruajnë identitetin dhe trashëgimin e pasur kulturore dhe historike.

“E keni parë sjelljen tonë gjatë kësaj krize 6 mujore të formimit të gjitha institucioneve.

Ne kemi qenë shumë korrekt dhe kemi thënë se, në asnjë çast nuk do të pozicionohemi në njërën apo anën tjetër, do të jemi partner konstruktiv për këdo që faktorët kryesor politik shqiptar vendosin se do të jetë i pari. Ne nuk jemi përzier, nuk kemi bërë shantazh, nuk kemi vendosur parakushte për ta shfrytëzuar situatën e ndjeshme politike dhe mendoj se kjo duhet të respektohet.”

Bashkëjetesa e vërtet ndërmjet të serbëve dhe shqiptarëve, deri tash, nuk ka ndodhur, kanë ndryshuar vetëm kushtet në të cilat serbët jetojnë sot, vlerëson Stojanoviç. Sipas tij, serbët në veri të Kosovës kanë pasur një kompaktësi territoriale e cila iu ka mundësuar që të mbeten pak më shumë të pavarur nga Prishtina, në krahasim me serbët e jugut që nuk ishin në pozitë të njëjtë.

Ai po ashtu vlerëson se, në Kosovë nuk ka pasur kthimi të vërtet të serbëve, për arsye se nuk ka pasur këmbim të informatave nga ata që jetojnë këtu drejt atyre që është dashur të kthehen, për t’ju treguar se këtu është e mundur jeta normale, pa frik dhe presion, të cilët në fillim, “duhet të jemi të sinqertë, kanë ekzistuar.”

Prandaj, Stojanoviç mendon se, shqiptarët e kanë një rast unik të cilin nuk do të duhej ta lëshonin, për të ndërprerë këtë rrethin vicioz të dhunës dhe hakmarrjes së një populli ndaj tjetrit, që po zgjat së paku njëqind vitet e fundit.

“Mendoj se tash kemi rastin që t’i japim fund armiqësive shekullore, me ndërtimin e sistemit dhe zbatimit të ligjit, me ndërtimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian ku ekzistojnë standarde të caktuara të bashkëjetesës, të cilat duhet të plotësohen” thekson Stojanoviç.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

'Bomba' e

'Bomba' e "The Telegraph": Udhëheqësi i Hamasit u vra nga agjentët iranianë, me urdhër të Mossad!