Bravo Lulzim Basha

Bravo Lulzim Basha
Java që kaloi shënoi dy sinjale të forta politike, sinjale që kaluan në heshtje. Efektet e tyre u mbytën nga të shtënat e mitralozit të Gates dhe postimet e doktorit në “Facebook”. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha përshëndeti operacionin e policisë në Lazarat dhe deklaroi se PD është e gatshme të nisë negociatat për reformën territoriale.
 
Madje do paraqesë projektin e saj për ndarjen e re administrative.
 
Mund të duket paradoksale, por për këdo që ka një kujtesë minimale politike, deklarata zyrtare e Partisë Demokratike ishte diçka e jashtëzakonshme. Ndonëse Basha bëri gjënë më normale në botë, përshëndeti një operacion të suksesshëm policie, kjo tingëlloi si çudi ogurmirë nëse kemi parasysh se çfarë ka ndodhur 20 vjet rresht.
 
Duhet t’u kujtohet gushti i vitit 2004 kur një helikopter i “Guardia di Finanza” fluturoi mbi Lazarat, qindra kallashë qëlluan me një histeri kolektive kundër tij. Pak minuta më pas, gjithë deputetët e PD me Berishën në krye ju turrën foltores së selisë. “Qeveria po provokon demokratët e Lazaratit dhe duhet të tërhiqet menjëherë”, ishte pjesa më pak histerike e atyre deklaratave.
 
Javën e kaluar Basha nuk veproi kështu. Por heshtja e tij për operacionin dhe ato dy rreshta te deklaratës zyrtare u mbytën nga shpërthimet e përroit psikik të Berishës. Dy veprimet dhe mosveprimet e Bashës mund të ngjallin shpresën ose iluzionin se kryetari i ri po përpiqet të krijojë një PD ndryshe nga ajo e Berishës. Mbetet për t’u parë se cili nga këto dy opsione qëndron.
 
Le të kujtojmë pak sesi ka qenë opozita tetëvjeçare e Berishës. Bastionet e saj ishin Lazarati, Laçi, Shijaku dhe Mamurrasi, zonat me kriminalitetin më të lartë dhe të rrezikshëm në vend. Besoj ju kujtohet thënia e Berishës se mund ta marrë pushtetin vetëm me Laçin dhe Mamurrasin, pak ditë pasi trimat e tij i kishin vënë flakën kryeministrisë. Strategjia e Berishës bazohej mbi njerëz “të pushkës” dhe jo “të penës”.
 
Shikoni pak Gjirokastrën dhe Fierin. Ka vetëm një shpjegim përse Berisha ka gjithmonë rezultate abisale në këto dy qarqe. Në momentin kur i dha Lazaratit statusin e të paprekshmëve, humbi respektin e gjithë Jugut. E njëjta gjë dhe në Fier. Spurdhjakët e dy familjeve jabanxhie që bënin terror në qytet i krijonin gjithë myzeqarëve perceptimin se partia e shpresës më të madhe në historinë e shqiptarëve ishte katandisur në një sekt tribal.
 
Në fakt opozita e deritanishme e Bashës është për t’u përshëndetur. E para, nuk përdor gjuhën e urrejtjes që artikulon çdo ditë meceni i tij politik. Sillet dhe flet si njeri normal. Nëse kujtojmë si u soll Berisha me procesin e hartimit të Kushtetutës, gatishmëria e Bashës për të marrë pjesë në reformën territoriale është një ndryshim gati epokal. Kjo qasje e Bashës duket se e ka shqetësuar Berishën. Ndoshta për këtë arsye është rikthyer në selinë e Partisë Demokratike një vit pasi u largua andej. Nga kolltuku i kryetarit të PD ka bërë javën e fundit dy konferenca shtypi si për t’u treguar të gjithëve se “hauri ka zot”.
 
Heshtja apo dhe belbëzimet e Bashës duhen përshëndetur si një hap i parë. Duhen mbështetur sepse vendi ka nevojë për opozitë qytetare që duhet të forcohet dita ditës, sepse dhe sikur Nënë Tereza të ishte kryeministre vjen një moment kur qeveria bëhet arbitrare nëse republika nuk ka opozitë. Ka nevojë për një opozitë që t’i tregojë Ramës se dje gaboi kur pasi respektoi me shumë të drejtë në Pallatin e Brigadave qindra policët që kryen operacionin e Lazaratit ju mbajti atyre një fjalim me tone të theksuara politike, ku nuk munguan dhe sulmet ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Rama dje për pak kaloi kufirin e parimit “eskilian” se nëse abuzon me të drejtën ajo kalon tek kundërshtari. Të gjitha ato që tha Rama mund të jenë të vërteta, por nuk ishte ajo audienca e duhur. Policia është e shtetit, jo e qeverisë. Kryeministrat vijnë e ikin, policët janë po ata.
 
Kryetari i ri i PD duhet mbështetur. Nuk është pak që Basha nuk ka dalë në mbrojtje të “gateve” dhe “dashove” si Berisha. Mund të jetë një sinjal se ka nisur procesin e delazaratizimit të PD. Për këtë mbetet për t'u parë stafi i ri që do të zgjedhë. Le të shpresojmë. Një tentativë të tillë e ka bërë dhe Eduard Selami 20 vjet më parë. Por atëherë Berisha i preu drutë shkurt. E zgjidhi fare thjesht. Çoi Izetin që ndryshoi bravën e derës. Kryetari i atëhershëm i PD nuk mund të hynte dot në zyrë dhe disa ditë më pas mori rrugët e kurbetit të gjatë përtej Atlantikut. Të shpresojmë se dy konferencat e fundit të Berishës nga zyra e Bashës nuk janë hapi i parë i ndryshimit të bravës. Sepse nëse shkojmë tek ky skenar, këtë herë nuk do jetë Izeti por Flamuri në krye të brigadës së marangozëve.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Berisha zbarkon te ‘Sheshi Uillson’, bën ‘qepalla’ dhe përqafime me Gazment Bardhin e Tedi Blushin

Berisha zbarkon te ‘Sheshi Uillson’, bën ‘qepalla’ dhe përqafime me Gazment Bardhin e Tedi Blushin