TIRANË- Javën e ardhshme do të nisë shembja e ndërtimeve pa leje në bregdet. Kryeministri Edi Rama u ka lënë afat pronarëve që kanë ndërtuar pa leje 5 ditë kohë, deri të hënën, që t'i shembin vetë, pasi në të kundërtën, pasojat do të jetë të rënda. Paralajmërimi shkon për të gjithë, që nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve apo edhe shefat e policisë.

I shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe kreu i Kadastrës, Artan Lame, Rama iu bëri thirrje të marrin masa brenda kësaj jave, në të kundërt, kryeministri iu kërkoi atyre të lexojnë Kodin Penal, për të kuptuar se çfarë i pret. Nga ana tjetër,  Çuçi dhe Lame thanë se të dyja institucionet do të bashkëpunojnë për pastrimin e bregdetit shqiptar, në këtë aksion që vjen pak javë para çeljes zyrtarisht të sezonit veror. 

Pas pastrimit të bregdetit, operacioni do të vijojë më pas me zonat e mbrojtura e akset kombëtare.

"Javën e ardhshme forcat Policisë së Shtetit dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit do të nisin operacionin "Bregdeti Ynë", për të fshirë nga harta e pasurisë më të madhe të popullit shqiptar çdo ndërtim pa leje, duke nisur me ato që janë në proces në thyerje flagrante të Kodit Penal dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo shkelës të ligjit (qoftë në krejt zinxhirin e ndërtimit nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve, e qoftë në radhët e vetë policisë, nga shefa e deri tek punonjës, që me veprimet a mosveprimet e tyre kanë lejuar shkeljen e ligjit). Pastrimi i gjithë bregdetit për të vijuar më pas me zonat e mbrojtura e akset kombëtare, do të vazhdojë pa u ndalur deri në goditjen e fundit Apeli për shkelësit është i thjeshtë: Prishni e pastroni vetë çka keni ndërtuar pa leje në dëm të pasurisë së popullit, sepse kur të përballeni me forcën e operacionit "Bregdeti Ynë", do të jetë shumë vonë për ju", shkruan Rama.

Mbrojtja e Territorit dhe zbatimi rigoroz i Kodit Penal për aktivitetet e paligjshme, nga ndërtimet pa leje tek prekja e pyjeve, lumenjve, liqeneve dhe zonat e mbrojtura natyrore e kulturore, për kryeministrin Edi Rama do të jenë prioritet për Policinë e Shtetit, njësoj si lufta ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Më herët, nisi dhe aksioni për të hequr ato që shesin buzë rrugës, me arsyetimin e cenojnë sigurinë e qarkullimit, pasi janë shndërruar në burim aksidentesh. "Tolerancë Zero për Paligjshmërinë", ka përfunduar Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:07
Javën e ardhshme nis shembja e ndërtimeve pa leje, paralajmëron Çuçi: Do të ndëshkohen të gjithë ata që ‘mbyllin sytë’

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka paralajmëruar se do të merren masa ndëshkuese në lidhje me ndërtimet pa leje, duke nisur nga investitori deri tek punonjësit e kantiereve apo edhe oficerët e policisë e inspektorët e IKMT-së që mund të kenë mbyllur sytë.

Në një shënim në mediat sociale, Çuçi thekson se nga java e ardhshme do të nisë fillimisht shembja e ndërtimeve pa leje në vijnë bregdetare nga Velipoja deri në Ksamil për të çliruar çdo hapësirë të zaptuar dhe për të vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit.

‘Javën e ardhshme do të nisim fillimisht me shembjen e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare nga Velipoja deri në Ksamil, për të çliruar çdo hapësirë të zaptuar dhe për të vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit. Më tej është radha e atyre që kanë ndërhyrë në zonat e mbrojtura dhe akset kombëtare. Policia e Shtetit dhe IKMT kanë bërë evidentimin e ndërtimeve dhe çdo strukture tjetër të ngritur pa leje në të gjithë territorin e vendit. Ndryshe nga herët e kaluara, kësaj radhe pas ndryshimit të Kodit Penal, masat ndëshkuese janë ashpërsuar dhe prekin të gjithë zinxhirin e ndërtimit nga investitori deri tek punonjësit e kantiereve apo edhe oficerët e policisë e inspektorët e IKMT-së që mund të kenë mbyllur sytë teksa ndërtohej pa leje.’- shkruan Çuçi.