Bregu i Lumit, banorët: Qeveria o
masa për përmbytjet, o na ka aty

Bregu i Lumit, banorët: Qeveria o<br />masa për përmbytjet, o na ka aty
TIRANË - "Apeli për ndihmë i të paktën 3 mijë banorëve të njësisë bashkiake nr. 11 vazhdon të injorohet nga qeveria". Këtë mendon deputeti i PD, Aldo Bumçi, i cili ka qenë sot tek banorët e përmbytur te Bregu i lumit në Tiranë. 

Ai nëpërmjet një komunikate për shtyp ka theksuar se "prej 5 ditësh, këta banorë e kalojnë natën në qiell të hapur për shkak të shkatërrimit të gjithçkaje që kishin nga përmbytjet si pasojë e daljes nga shtrati i lumit të Tiranës. Një natë më parë, qeveria u ofroi këtyre banorëve një ndihmë në çarçafë e batanije të mjaftueshme për afro 50 familje, nga të paktën 600 që kanë nevojë imediate për t’u ndihmuar". Për deputetin Aldo Bumçi kjo është tallje me banorët, ndërsa i ka bërë sërish apel qeverisë se është detyrimi i saj t'i ndihmojë këta banorë.
 
““Ne jemi këtu në një nga zonat e përmbytura të Bregut të Lumit, përmbytja ka qenë shumë e madhe, e jashtëzakonshme. Po të shikoni murin, do të dalloni deri ku ka qenë niveli i ujit, 1.5 m mbi nivelin e tokës, një përmbytje që ka dëmtuar gjithë katet e para të gjithë banesave që janë në këtë zonë. Janë rreth 600 banesa, me një dëm të jashtëzakonshëm në orendi shtëpiake. I bëjmë thirrje të fortë kryeministrit Rama, të kthejë vëmendjen, të mos tallet me këtë zonë duke dërguar 50 çarçafë dhe batanije, por  të nxjerrë një fond dëmshpërblimi dhe t'i gjendet me ato që janë nevoja imediate, librat e shkollës, krevat, batanije, ushqime dhe gjithçka tjetër që është nevojë emergjente për këtë komunitet, për rreth 600 familjet e dëmtuara rëndë.”-u shpreh deputeti Bumçi.
 
Kryetari i njësisë bashkiake nr. 11, Haki Mustafa e ka konsideruar fyerje të rëndë për këta banorë ndihmën që i akordoi dje dhe injorim total gjendjen e rëndë të këtyre banorëve të cilëve qeveria ka detyrim t’i ndihmojë.  “Unë shoh sot një neglizhencë të jashtëzakonshme të qeverisë në lidhje me këto banorë. Dje, më është thënë mua që të shpërndajë ndihmat, unë dola me gëzimin se jam duke sjellë diçka në lagje, më thanë që ke vetëm për 50 familje dhe ato ishin disa dyshekë e batanije. Shuma e të gjithë ndihmës për këto familje ishte 130 mijë lekë të vjetra, në një kohë kur familja më e shkundur këtu ka pasur 2 milionë lekë dëme, ndërsa familjet e mëdha mbi 10 milionë lekë dëme. Ju e shikoni, qeveria nuk ka ardhur as sot. Thonë kanë shumë dyshime gjendja nuk është kështu, ashtu. Ne i themi qeverisë të sjellë punonjësit e vetë, me prezencën tonë ose edhe pa prezencën tonë të hyjnë në familje. Këtu qytetarët janë të nëpërkëmbur. Unë dje nuk do të dilja të merrja ato 50 pako ndihma, sepse me vinte edhe turp, por në mënyrë që t’u vij 50 familjeve në ndihmë jam detyruar të dal”- u shpreh Mustafa.
 
Qeveria duhet të reagojë sot, nesër do të jetë vonë dhe qytetarët do të ndërmarrin hapat e tyre, sepse nuk mund ta përballojnë më këtë situatë. “Ne shpresojmë që qeveria të shpallë gjendjen jashtëzakonshme, t’ju  vijë në ndihmë këtyre qytetarëve, pastaj do t’u themi qytetarëve që jeni të lirë që të ndërmerrni hapa të tjerë, sepse kjo situatë nuk mund të shtyhet më tepër. Sot këto familje nuk kanë bukë, nuk kanë libra, nuk kanë vend për të fjetur, shikoni, futuni në familje kudo, do të shikoni se nuk kanë ku të flenë” -u shpreh Mustafa. 

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë