Ministria e Integrimit Europian, Majlinda Bregu, akuzoi Partinë Socialiste dhe aleatët e saj se po bëjnë bllofin me 3 ligjet, duke penguar integrimin europian të vendit.
Në një deklaratë për mediat, Bregu tha se, “pa asnjë ide, pa asnjë projekt dhe pa asnjë kauzë të shëndetshme, dyshja e koalicionit të pazareve po kërkon një komardare shpëtimi nga anija që po mbytet, e që askush nuk e di se kë ka për kapiten”.
Bregu tha se me bllokimin e integrimit të vendit, Partia Socialiste u ka hequr fermerëve mundësinë e përdorimit të miliona euro subvencionime.
“Duke e ditur shumë mirë, se nuk kanë sy e faqe t’u dalin përpara fermerëve, të cilëve, me bllokimin për tre vjet e 230 ditë të statusit, u hoqën miliona euro subvencione; t’u dalin përpara studentëve që u mohuan qindra bursa studimi për në BE; t’i dalin përpara biznesit që i mohuan mundësinë e miliona eurove kreditim; duke mos patur sy e faqe t’u dalin përpara mjekëve e mësuesve shqiptarë, që u hoqën mundësinë për qindra kualifikime në vendet e Bashkimit Europian; duke mos patur sy e faqe t’u kërkojnë falje të gjithë shqiptarëve për këto tre vjet e 230 ditë pengmarrje të ëndrrave dhe prosperitetit të tyre, kjo dyshe ka paturpësinë dhe pafytyrësinë të vazhdojë me tallje dhe bllofe, sikur janë ata të interesuarit e mëdhenj të votimit të 3 ligjeve të integrimit”, u shpreh Bregu.
Sipas saj, shqiptarët kanë vetëm këtë vit, 230 ditë që e shohin se Partia Demokratike dhe Qeveria shqiptare i kanë bërë me qindra apele, ditë pas dite dhe orë pas ore, koalicionit të pazareve, për t’i votuar 3 ligjet, kur të duan dhe si të duan.
Ministrja nënvizoi se, “janë jo vetëm shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët që kanë parë e dëgjuar gjatë këtyre tre vjetëve e 230 ditëve pretekste dhe justifikime absurde të njëpasnjëshme të opozitës, që edhe pse kanë rënë njëra pas tjetrës, nuk e bindën kurrë opozitën në parlament, për të votuar 3 ligjet”.
Ndërkaq Ministrja e Integrimit ftoi opozitën të lërë “pazaret në kurriz të shqiptarëve” dhe “pasi t’i kërkojë publikisht falje qytetarëve për dëmin e madh që u ka bërë imazhit, mirëqënies dhe prosperitetit të tyre, këto tre vjet e 7 muaj, Edi Rama duhet t’i sjellë të tijtë në parlament dhe t’i votojë 3 ligjet, për të ndihmuar jo vetëm shqiptarët, por për të çliruar edhe vetveten nga sindroma e bllokimit dhe shtrëngicës politike, që po e detyron të futet në këto zgjedhje vetëm me një platformë: atë të bllofeve, farsave e barsoletave”.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)