Opozita do të jetë pjesë e dialogut të nivelit të lartë që do të zhvillohet nesër në kuadër të Takimit të Dytë të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-Bashkimi Europian. Këtë e ka shprehur ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu në një deklaratë për shtyp, duke kërkuar nga qeveria një përfaqësim të opozitës në këto bisedime, sipas saj “me të njëjtat standarde që ata kanë gëzuar kur kanë qenë në opozitë”.

“I kam kërkuar kryeministrit një përfaqësim me të njëjtat standarte që maxhoranca e sotme ka gëzuar kur ka qenë në opozitë. Ia kam paraqitur kryeministrit të Shqipërisë këtë kërkesë, por përgjigja e tij ka qenë negative, për t’i ofruar opozitës atë trajtim që ata morën kur ishin vetë në opozitë”, u shpreh Bregu.

Bregu konfirmoi prezencën e opozitës në takimin që do të zhvillohet nesër, në 6 mars, pavarësisht qëndrimit që mazhoranca do të mbajë.

“Pavarësisht qëndrimit të maxhorancës, ne si opozitë do të mbështesim Shqipërinë në rrugën e integrimit europian. Ky është procesi më i rëndësishëm për shqiptarët dhe ata duhet të jenë në dijeni për të. Pra nesër opozita do të jetë prezente në dialogun e nivelit të lartë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit europian”, theksoi Bregu.

Në kuadër të takimit të Dytë të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-Bashkimi Europian, komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë, Štefan Füle, do të zhvillojë nesër, në 6 mars një vizitë në Tiranë për të diskutuar rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Eurpoian.

Redaksia online
(os/shqiptarja.com)