TIRANE- Partia Demokratike ka përshëndetur miratimin e raportit të përvitshëm mbi perspektivën e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, ditën e sotme nga Parlamenti Europian. Në një deklaratë për mediat, deputetja e PD-së, Majlinda Bregu tha se kjo rezolutë vlerëson arrijet e realizuara nga vendi ynë, si dhe gjatë periudhës së qeverisjes Berisha.

Duke shtuar se në këtë raport përmendet edhe roli i opozitës gjatë muajve të fundit, ish-ministrja e Integrimit Bregu, tha se miratimi i kësaj rezolute vjen në të njëjtë ditë me themelimin e Partisë Demokratike.
 
“Në rezolutën e miratuar vlerësohet standardi i lartë i zgjedhjeve të fundit dhe tranzicioni i butë politik i realizuar nga Partia Demokratike. Po ashtu, theksohet roli i rëndësishëm që ka dhe duhet të ketë opozita në rrugën e mëtejshme të integrimit evropian të vendit. Partia Demokratike e konsideron këtë akt të Parlamentit Europian një gur kilometrik në aspiratën tonë kombëtare për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane.

Partia Demokratike falenderon Komisionin Europian për nxitjen që i ka dhënë integrimit të vendit dhe punën e madhe të bërë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare, sidomos në 8 vitet e qeverisjes së PD. Partia Demokratike falenderon europarlamentarët e të gjithë kaheve politike, për impulsin dhe energjinë që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Rezoluta e Parlamentit europian është një inkurajim për vendin tonë që të ecë më shumë në rrugën e integrimit, dhe është një lajm i mirë për stabilitetin dhe progresin në rajon.

Kjo rezolutë është edhe një detyrim i ri për të gjithë ne, veçanërisht për qeverinë shqiptare, që të rrisë përgjegjshmërinë dhe efikasitetin në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe që kërkohen për negociatat, në përputhje edhe me Rezolutën e miratuar unanimisht nga Kuvendi i Shqipërisë”, tha Bregu.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)