Brenda korrikut, Basha kupolë të re me të besuarit në PD! Pritet të zgjedhë sekretarët, nënkryetarët dhe kryesinë

Korriku do të jetë deri në fund një muaj i nxehtë për demokratët. Pasi morën besimin e delegatëve të Kuvendit, anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PD, do të vulosin ndryshimin e kupolës drejtuese me të besuarit e Bashës.

Në mbledhjen e parë të tij, Këshilli Kombëtar do të zgjedhë mes të paktën dy kandidaturave, kreun e ri të këtij organi.

Ende nuk janë publike dy alternativat për drejtuesin e ri që do të zëvendësojë Bujar Nishanin, i cili pas kritikave ndaj Lulzim Bashës, rrezikoi edhe anëtarësinë në Këshillin Kombëtar, por e shpëtoi pozicioni në krye të shtetit gjatë periudhës 2012-2017

Po ashtu, brenda muajit korrik pritet të zgjidhet Sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët dhe sekretarët, tashmë pa një numër limit, të cilët ndonëse do të votohen nga Këshilli Kombëtar, propozohen gjithashtu nga kryedemokrati Basha.

Edhe kryetari i Komisionit të Apelimit, do të zgjidhet gjatë këtij muaji. Ky komision, i cili aktualisht drejtohet nga Arben Ristani, i mbetur jashtë Këshillit Kombëtar, sipas propozimeve të Lulzim Bashës reformohet dhe bashkohet me atë të Etikës dhe Integritetit.

Por kupola drejtuese e PD nuk do të jetë e vetmja që do t'i nënshtrohet ndryshimeve.

Edhe strukturat vendore pritet t'i nënshtrohen zgjedhjeve të reja. Sipas vendimit të miratuar nga vetë Lulzim Basha më 18 Qershor, brenda 30 shtatorit duhet të zgjidhen dhe krerët e degëve.

“Brenda datës 1 Shtator 2021, Sekretariati Organizativ i Partisë i paraqet Kryesisë një informacion të plotë për gjendjen dhe veprimtarinë e strukturave vendore të partisë, si dhe i propozon, sipas rastit, ushtrimin e të drejtës për zgjedhje të reja në strukturat vendore të Partisë. I gjithë procesi ristrukturimit të organeve vendore të Partisë, përfundon brenda datës 30 Shtator 2021” thuhet në vendim.

Ky riorganizim i demokratëve, nisi fill pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit, kur selia blu, pas thirrjeve drejtuar kryedemokratit për të dhënë dorëheqjen, u fut në një proces zgjedhjesh të brendshme, që konfirmoi për herë të tretë Lulzim Bashën në krye të PD.

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë