Kuvendi i Shqipërisë e nis vitin 2026 me një “autokritikë”, duke hartuar një Plan Veprimi prej 27 faqesh, i cili premton korrigjimin e sjelljeve të deritanishme, kryesisht ato që janë në dorë të mazhorancës.
Dokumenti që është në zyrën e Kryetarit të Kuvendit i lë detyrë Niko Peleshit që në mënyrë periodike të takohet me krerët e grupeve parlamentare me qëllim të rritet dialogu, dhe të ulet polariteti politik, që është përfshirë në dokumentet e BE-së.
Plani përfshin që deputetët të trajnohen në mënyrë të vazhdueshme për sjelljen e tyre, dhe kryetarët e grupeve dhe drejtuesit e komisioneve të japin këshilla periodike sjelljeje për anëtarët e parlamentit.
Gjithashtu, Kuvendi angazhohet të rrisë kontrollin mbi qeverinë. Siç thuhet në dokument, kjo do të arrihet duke përdorur intensivisht interpelancat, pyetjet dhe mocionet, duke thirrur ministrat në komisione, apo duke ngritur komisione hetimore.
Për të gjitha këto çështje, opozita ka akuzuar në vazhdimësi mazhorancën se nuk e ka lejuar të ushtrojë kontrollet parlamentare, duke mbrojtur qeverinë.
Në strategji, Kuvendi angazhohet që të miratojë brenda korrikut 2026 reformën zgjedhore, pasi BE ka kërkuar reformë gjithëpërfshirëse që ju jep zgjidhje shqetësimeve të ODIHR për abuzime me fondet publike e garën e pabarabartë zgjedhore.
Parlamenti nis punë më 19 janar dhe në dy seancat e para parashikon që të votojë edhe ndryshime të ligjeve të reformës në drejtësi, si dhe një ligj të ri për median.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente






