ITALI - Një nga klubet më historike të futbollit italian nuk ekziston më. Gjykatat në Itali kanë vendosur likuidimin gjyqësor të Brescia Calcio, duke i dhënë fund zyrtarisht historisë 115-vjeçare të klubit, pas dështimit për të përballuar detyrimet financiare.
Me një borxh që raportohet të ketë arritur rreth 20 milionë euro dhe pamundësinë e pronarit Massimo Cellino për të shlyer detyrimet kryesore, Brescia humbi licencën dhe u përjashtua nga futbolli profesionist italian.
Për tifozët e futbollit, veçanërisht ata që jetuan vitet e arta të Serie A, ky nuk është vetëm fundi i një klubi, por mbyllja e një kapitulli të rëndësishëm të historisë së futbollit italian.
Brescia ishte shumë më tepër sesa një skuadër që lëvizte mes Serie A dhe Serie B. Klubi u bë strehë e futbollistëve të mëdhenj dhe vendi ku lindën e u zhvilluan disa prej historive më të bukura të futbollit.
Roberto Baggio kaloi vitet e fundit të karrierës në "Mario Rigamonti", duke u shndërruar në simbol të klubit. "Bishtaleci Hyjnor" realizoi 46 gola në 101 ndeshje me fanellën e Brescias, duke lënë pas kujtime të paharrueshme.
Po aq e rëndësishme ishte edhe historia e Andrea Pirlos. I dalë nga akademia e klubit, mesfushori u transformua nga trajneri Carlo Mazzone në rolin e regjisorit, pikërisht gjatë periudhës kur luante përkrah Baggios. Ai ndryshim do të shënonte fillimin e një karriere që do të ndryshonte mënyrën se si interpretohej mesfusha në futbollin modern.
Fanellën e Brescias e kanë veshur edhe emra të mëdhenj si Pep Guardiola, Gheorghe Hagi, Marek Hamšik, Luca Toni dhe Marek Kozminski, duke e kthyer klubin në një pikë referimi për talentin dhe futbollin cilësor. Mos harrojmë edhe se Igli Tare dhe Mario Balotelli kanë qenë pjesë e 'Dallëndysheve'.
Në vitet e fundit, problemet financiare u thelluan ndjeshëm. Vonesat në pagesat e taksave, penalizimet me pikë dhe pamundësia për të regjistruar skuadrën në kampionat çuan në kolapsin përfundimtar të klubit.
Edhe pse në Brescia pritet të nisë një projekt i ri futbollistik, siç ka ndodhur edhe me klube të tjera historike italiane, emri Brescia Calcio 1911 tashmë mbetet pjesë e historisë.
Me zhdukjen e Brescias, futbolli italian humbet një prej klubeve më të dashura dhe më nostalgjike, vendi ku shkëlqyen legjenda si Baggio dhe Pirlo dhe ku u shkruan disa nga faqet më të bukura të Serie A.
Komente







