Kur do të largohet Britania?
Megjithëse politikanët pro qëndrimit po përpiqen të insistojnë se Britania duhet të pranojë “vullnetin demokratik” të popullit të saj, askush nuk e ka bërë në të vërtetë këtë gjë, deri tani. David Cameroni nuk vuri në lëvizje mekanizmin e “Nenit 50” për daljen nga BE-së, duke thënë se i takon pasardhësit të tij që ta bëjë këtë. Disa në Europë, mes tyre Presidenti i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker dhe Kryeministri belg Charles Michel, do të donin ta detyronin që ta bënte sa më shpejt. Duke supozuar se nuk do u dalë e tyrja, ky hap do të ndërmerret në shtator ose tetor. Por, zëra të tjerë, po bëjnë thirrje për një vonesë edhe më të madhe, sidomos Jeremy Hunt, Sekretar i Shëndetësisë i cili dëshiron të negociojë një marrëveshje të re, ta hedhë atë në një votim të dytë, dhe vetëm pastaj të vërë në lëvizje mekanizmin e daljes. Do të ishte e mundur për Britaninë që thjesht të mos largohej, por politikisht kjo do të ishte shumë e vështirë.
Si do të jetë një marrëveshje e BE-së?
Mundësitë janë të shumta, por deri më tani debati kryesor është përqëndruar përreth tre pikave: së pari, a do Britania të njëjtën qasje në tregun e përbashkët evropian, si ajo që gëzon aktualisht? Së dyti, a duhet të shtyjë Britania për kufizime në migracionin në BE, dhe së treti, a është e mundur që t’i marrë të dyja? Mendimit në kontinent është se të dyja këto së bashku në një marrëveshje, do të ishte një kërkesë e tepërt, Evropa nuk mund të shihet se po shpërblen Britaninë për referendumin e saj, dhe shumëkush dëshiron që ajo të ndëshkohet. Por, David Cameroni sugjeroi në një samit të BE-së të martën, se Evropa duhet të punojë në drejtim të pranimit të të dyjave. Mendimi dominues ekonomik në Britani është që kufizimet domethënëse për lirinë e lëvizjes do të jenë shkatërruese, për ekonominë tashmë të tronditur të vendit.
Cili do të jetë Kryeministri i ardhshëm?
Partia Konservatore e Britanisë po përgatitet për një garë për udhëheqjesin, dhe fituesi do të zëvendësojë David Cameronin. Deputetët e partisë do ta reduktojnë garën në dy vetë, dhe anëtarët e partisë më pas do të zgjedhin fituesin mes të dyve. Më i mundshëm është dueli final mes Boris Johnsonit, udhëheqësi fitimtar i fushatës Brexit, dhe Theresa Mayt, Sekretarja e hekurt e Brendshme, e cila mbështeste qëndrimin, por në heshtje dhe me rezerva. Mundësitë e tjera përfshijnë Stephen Crabb, Sekretar i Punës dhe Pensioneve, i cili i lëvdon shumë rrënjët e tij mes klasës punëtore uellsiane, dhe Nicky Morgan, Sekretarin liberal të Arsimit. Këtu ka një nën-pyetje: A do të ketë edhe zgjedhje të përgjithshme? Normalisht që duhet, por Johnsoni ka thënë për The Guardian se nuk do të ndodhë, nëse fiton ai.
Cili do të jetë udhëheqësi i ardhshëm i opozitës?
Teksa lideri i laburistëve Jeremy Corbyn humbi me shumicë dërrmuese një votë mosbesimi ndër deputetët e tij të martën, zgjedhjet për udhëheqjen në Partinë Laburiste nuk janë aspak të sigurta. Corbyn mund të ketë humbur plotësisht mbështetjen që kishte brenda partisë në parlament, por në mesin e anëtarësisë, ai është ende popullor. Një sondazh i BBC-së tregon se mbështetja për të në mesin e partisë është 59 për qind. Kjo është një rënie prej pesë për qind, në krahasim me anketën e fundit. Por kur i shton mbështetjen që Corbyn gëzon aktualisht tek sindikatat (duke përfshirë më të madhen e Mbretërisë së Bashkuar, “Unite”), si dhe atë nga grupi i të majtës radikale “Momentum”, atëherë kuptpon se do të jetë një garë e vështirë, për këdo që do të përpiqet ta largojë atë.
A do e humbasë Britania Skocinë?
Nicola Sturgeon, Ministre e parë e Skocisë, ka ngritur një “këshill” ekspertësh, për ta këshilluar atë në lidhje me opsionet e Skocisë, dhe pyetja e saj më e madhe është, nëse ka ndonjë mënyrë që Skocia të qëndrojë si pjesë e BE-së, ndërkohë që pjesa tjetër e Britanisë largohet. Nëse përgjigja do të ishte që kjo është e mundur, Sturgeon e ka bërë të qartë se ajo do të kërkojë të mbajë një referendum të dytë për pavarësinë. Nëse kjo ndodh, zgjedhja për pavarësinë e Skocisë do të duket shumë më pak e rrezikshme, se sa në vitin 2014. Ndërsa Sturgeon ka pasur takime pozitive me figura të larta në Parlamentin Evropian, përfshirë presidentin e tij, Martin Schulz, ajo është injoruar deri tani nga Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Zëdhënësi i Tusk u tha gazetarëve se “nuk është momenti i duhur”./ Bota.al