Briken Calja, peshëngritësi i Shqipërisë, nuk do të marrë pjesë në kampionatin Botëror edhe pse ka udhëtuar drejt Kinës. Teksa bëhej gati të merrte pjesë në garë ai ka njoftuar se ka pësuar një dëmtim në kofshë që e rrezikon shumë në garat e ardhshme. 36-vjeçari shpjegon se është më e arsyeshme të ndalet tani para se të përkeqësojë dëmtimin, me qëllim që të jenë në formë për eventet e ardhshme.

“Një moment shumë i vështirë, por një vendim i domosdoshëm! Me keqardhje njoftoj tërheqjen time nga Kampionati Botëror për shkak të një dëmtimi në kofshë dhe në pjesën e mesit, që e bën të pamundur vazhdimin e garës.

Pavarësisht formës së jashtëzakonshme sportive që kisha dhe vazhdoj të kem, sot më duhet të bëj një hap pas. Një vendim aspaak i lehtë, sidomos kur e di sa shumë kam punuar, sa sakrifica kam bërë dhe sa i përgatitur isha për këtë kampionat. Por karriera e një sportisti nuk ndërtohet mbii një garë të vetme. Kampionati i radhës po afron dhe nuk mund të rrezikoj që një dëmtim të më mbajë larg pedanes për një periudhë të gjatë.

Ky nuk është dorëzim, por një vendim i menduar për të mbrojtur gjithçka që kam ndërtuar dhe për të vazhduar rrugëtimin dhe objektivat e mia. Beteja ime nuk përfundon këtu. Do të rikthehem sërisht më i fortë dhe më i vendosur se kurrë!”-shkruan Calja.

Vetëm pak kohë më parë, me 1 shtator, Briken Calja nderoi Shqipërinë në kampionatin e Lojërave Mesdhetare, duke fituar dy medalje. Të artë në stilin e shkëputjes dhe të bronztë në shtytje.