Ende pa u mbushur 24 orë nga bojkoti i kampionatit botëror të peshëngritjes situata ka ndryshuar për Erkand Qerimajn. 36-vjeçari ka njoftuar se është zgjidhur çështja që e përplasje me kreun e federatës Elez Gjoza dhe do të udhëtojë në Kinë ku prej 27 tetorit deri më 8 nëntor do të mbahet kampionati botëror i peshëngritjes.

Qerimaj, i cili prej vitesh ka patur përplasje me kreun e federatës, e akuzoi atë se nuk kishte miratuar udhëtimin e trajnerit të tij në Kinë.

“Çështja e trajnerit për Kampionatin Botëror tashmë është zgjidhur dhe do të kem trajnerin tim në krah gjatë garës.

Megjithatë, mbetet e paqartë arsyeja se përse kjo çështje u trajtua në këtë mënyrë, kur unë ia kam komunikuar disa herë Federatës rëndësinë e pranisë së trajnerit tim gjatë këtij aktiviteti.

Për mua, prania e trajnerit nuk është një detaj dytësor, por një element thelbësor për përgatitjen dhe përfaqësimin sa më dinjitoz në një kompeticion të këtij niveli.

Pavarësisht zgjidhjes së çështjes, mendoj se komunikimi dhe trajtimi i kësaj problematike duhej të ishin bërë në kohë dhe me seriozitetin e duhur!”-shkruan Qerimaj.

Kampionati botëror i peshëngritjes vlen edhe për grumbullimin e pikëve në Olimpiadën e 2028-ës.