Dy të arrestuarit për vjedhjen e shtëpisë së princit William në Sandringham, Norfolk, janë shqiptarë. The Sun raporton se dy hajdutët nuk e dinin që shtëpia i përket çiftit mbretëror të Princit dhe Princeshës së Uellsit.

Njëri prej tyre, emigrant i paligjshëm, kishte kërkuar azil më herët. Statusi i qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar i të dyshuarit tjetër mbetet i paqartë, ndërsa po kryhen verifikime të mëtejshme lidhur me të kaluarën e tyre.

Alarmi i sigurisë u aktivizua pak para orës 18:00 të së hënës, në një kohë kur William, Kate dhe fëmijët e tyre nuk ndodheshin në pronë.

Mbreti Charles po qëndronte në Sandringham House, rreth pesë kilometra larg, në atë moment. Ndërsa Andrew Mountbatten-Windsor ndodhej në banesën e tij, Marsh Farm, në anën tjetër të pronës prej 20 mijë hektarësh.

Mendohet se hajdutët e maskuar aktivizuan sistemet e sigurisë, të cilat përfshijnë kamera vëzhgimi, teknologji lazer dhe sensorë në tokë, dhe më pas u larguan me shpejtësi.

Policia nisi një operacion të madh kërkimi me qen dhe dronë, ndërsa një helikopter i Shërbimit Kombëtar Ajror të Policisë, i pajisur me teknologji infra të kuqe, u nis nga një bazë në Nottingham. Helikopteri i policisë qëndroi për rreth dy orë mbi zonë. Dy grabitësit u kapën brenda territorit të pronës.

Policët përdorën detektorë metalesh dhe kontrolluan shkurret derisa ra errësira. Autoritetet dhe Pallati Kensington refuzuan të deklaronin nëse nga banesa ishte vjedhur ndonjë send.

1795597851_policiabritanike.jpg

William dhe Kate u informuan të hënën në mbrëmje për hyrjen me forcë në banesë dhe thuhet se ishin “jashtëzakonisht të shqetësuar”.

Anëtarët e rëndësishëm të Familjes Mbretërore kanë oficerë personalë sigurie, të cilët ofrojnë mbrojtje 24 orë në ditë, nga njësia e Policisë Metropolitane për Mbrojtjen e Familjes Mbretërore dhe Personave të Veçantë.

Komiteti Mbretëror dhe i Sigurisë për Personat VIP, i përbërë nga përfaqësues të policisë, qeverisë dhe Oborrit Mbretëror, përcakton nivelet e sigurisë dhe do të vlerësojë nëse nevojiten masa shtesë pas këtij incidenti.

Mbretëresha e ndjerë ia dhuroi Anmer Hall William dhe Kate si dhuratë martese. Çifti tashmë ka rezidencën kryesore në Windsor, por vila madhështore në Norfolk vazhdon të mbetet vendstrehimi i tyre familjar në fshat.

Ata kalojnë atje pushimet verore dhe pushimet shkollore. Gjithashtu, ajo ishte vendi ku u strehuan gjatë pandemisë së Covid-19.

Kjo pronë u bë gjithashtu pjesë e procesit të rikuperimit të Kate nga kanceri, pasi ajo iu përkushtua natyrës dhe kalimit të kohës në ambient të hapur.