Mbretëria e Bashkuar do t’i bashkohet sërish programit europian të shkëmbimit të studentëve Erasmus nga viti akademik 2027–2028, njoftoi të mërkurën qeveria britanike, duke shënuar një hap simbolik në afrimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian pas Brexit-it.

Sipas qeverisë së kryeministrit Keir Starmer, Britania do të kontribuojë rreth 570 milionë paund për një vit pjesëmarrjeje, me një kosto rreth 30% më të ulët krahasuar me tarifën standarde për vendet joanëtare të BE-së. Çdo angazhim përtej këtij viti do të kërkojë marrëveshje të reja.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshëndeti rikthimin e Britanisë në Erasmus, duke thënë se ai hap derën për “përvoja të përbashkëta dhe miqësi të qëndrueshme” mes të rinjve europianë. Ambasadori i BE-së në Londër, Pedro Serrano, tha se programi sjell “mundësi reale” dhe forcon lidhjet shoqërore mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së.

Vendimi vjen pas muajsh negociatash dhe është pjesë e një rivendosjeje më të gjerë të marrëdhënieve Londër–Bruksel nga qeveria laburiste. Ministri britanik për Marrëdhëniet me BE-në, Nick Thomas-Symonds, e quajti rikthimin në Erasmus “një fitore të madhe për të rinjtë”, duke theksuar se ai do të zgjerojë mundësitë për studim dhe trajnim jashtë vendit. Programi Erasmus u ndërpre nga qeveria e Boris Johnson në fund të vitit 2020, pas daljes së Britanisë nga BE-ja, dhe u zëvendësua me skemën Turing, e cila ka fokus global.

Ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me skemën Turing në afat të gjatë, ndonëse qeveria ka garantuar se projektet në zhvillim nuk do të preken. Studentë dhe ish-pjesëmarrës në Erasmus e kanë mirëpritur vendimin. Shumë prej tyre thonë se studimet jashtë vendit u dhanë aftësi jetësore, përvojë ndërkulturore dhe mundësi që nuk do t’i kishin pasur brenda Britanisë.

Rikthimi në Erasmus shihet gjithashtu si pjesë e përpjekjeve për të rindërtuar lidhjet akademike me Evropën, pas një rënieje të ndjeshme të numrit të studentëve nga BE-ja në universitetet britanike pas Brexit-it, për shkak të rritjes së tarifave.