Britania e Madhe vendos daljen
nga BE,Cameron jep dorëheqjen
Votat/ Mosha e tretë nxjerr Britaninë

Britania e Madhe vendos daljen<br />nga BE,Cameron jep dorëheqjen<br />Votat/ Mosha e tretë nxjerr Britaninë
Referendumi historik në Britaninë e Madhe i ka thënë JO qëndrimit në Bashkimin Europian. 51.8% e votave kanë votuar po daljes nga Unisioni ndërkohë që 83% kanë qenë pjesëmarrësit në Referendum.
 
Kundër daljes nga BE votuan Skocia dhe Irlanda, pro daljes Anglia dhe Uellsi. Kanë qenë 380 qendra të numërimit në Angli, Skoci dhe Uells, ndërsa 2 qendrat zyrtare të tjera kanë qenë në Irlandën e Veriut dhe Gjilbratar. 

Tashmë për Britaninë ka 5 alternativa të mundshme të të konsideruarit “pjesë e BE”-së, por jo më si anëtare me të drejta të plota në union. Në një deklaratë për mediat pas bërjes publike të rezultatit qëë i nxjerr jashtë BE-së britanikët David Cameron kryeministri i Britanisë së Madhe dha dorëheqjen.

Ai tha se pavarësisht rezultatit ai i qëndron mendimit se Britania është më e fortë brenda Bashkimit Europian. Megjithatë shtoi kryeminsitri në fjalën e tij mjaft të qartë këtë duhet ta vendosë një lidership i ri në krye të vendit.

Votimet hapën një periudhë gati dy-vjeçare të ndarjes nga BE-ja, 43 vjet pasi që Britania e Madhe u bashkua me vendet që përbënin bashkimin më të madh të shteteve evropiane pas Luftës së Dytë Botërore.

Kryeministri David Cameron pritet që formalisht t'u raportojë kolegëve të tij evropian javën e ardhshme dhe të përgatisë negociatat e largimit.

Nga ana tjeter Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha të premten se rezultati i referendumit është një "moment politik shumë serioz madje dramatik". Por, ai tha se ka një përkushtim për të ruajtur unitetin e 27 vendeve të BE-së.

"Për neve, bashkimi është korniza e ardhmërisë së përbashkët", tha presidenti Tusk.

Efekt domino? Holanda, Danimarka, Suedia: paralajmërime për stuhi nën ndikimin e erërave britanike
Këta tre vende kanë qenë historikisht pranë Mbretërisë së Bashkuar. Danimarka i është bashkuar BE –së në të njëjtën kohë me Britaninë, në vitin 1973. Në të shumtën e kohës, vota e tyre është e lidhur me atë të parntnerit ekonomik të privilegjuar në nivel europian.

Në prill një sondazh tregonte që suedezët ishin pro organizimit të një referendum në rast të daljes së Britanisë së Madhe. Ashtu si Britania e Madhe, Suedia nuk ka pranuar Euron si monedhë dhe dyshon se do të margjinalizohet në BE pa mbështetjen e protektorit të saj.

Po në prill, Holanda mbajti një referendum si mospërfillje ndaj BE-së, përsa i përket marrëveshjes së asocimit me Ukrainën. Këtë 23 qershor, ekstremi i djathtë kërkoi mbajtjen e një tjetër referendumi për qëndrimin në BE.

Atje, ashtu si në Danimarkë, euroskeptikët do të kërkojnë të marrin disa koncesione nga BE përsa i përket emigracionit.

britania

Britania del nga BE, zhvillimet pas vendimit minutë pas minute

Ora 10:20 Shefat e themeluesëve të BE nesër takim urgjent
Shefat e diplomacive të gjashtë vendeve themeluese të Bashkimit Evropian do të takohen nesër në Berlin për të analizuar pasojat e referendumit britanik, njoftoi sot Ministria e Jashtme gjermane.

Ora 08:50  Vendimi përfundimtar në 28 qershor
Marrëveshja përfundimtare mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian do të miratohet nga Parlamenti Europian dhe ai britanik me shumicë të cilësuar. Këshilli i Europës do të mblidhet më 28 qershor, ku Britania e Madhe do të formalizojë kërkesën për tërheqje.

Ora 08:40 Në 09:00 David Cameron konferencë të jashtëzakonshme
Pas pak pritet në një konferencë shtypi të jashtëzakonshme do të dalë kryeministri David Cameron për rezultatet e referendumit. Euroskeptikët kërkojnë largimin pas vendimit të popullit për të dalë nga Bashkimi Europian...

Ora 08:15 Reagimi nga Franca
Liderja Fronit Kombëtar në Francë, Le Pen “Duhet të kemi një referendum për daljen nga BE edhe në Francë”.
 
Ora 08:10 Bursa
Dalja e Britanisë ka sjellë rënien e Paundit, tregjet e aksioneve në panik nga referendumi, bursa e Tokios ka humbur më shumë se 8%.

britani
Përkatësisht :
Si u votua në Skoci
Pro daljes nga BE: 1,018,322 vota   
Pro qëndrimit ne BE:1,661,191 Vota

Si u votua në Uells
Pro daljes nga BE: 854,572 vota   
Pro qëndrimit ne BE: 772,354 vota

Si u votua në Irlandën e Veriut
Pro daljes nga BE: 349,442 vota   
Pro qëndrimit ne BE:440,437 vota

Si u votua në Gjibratar
Pro daljes nga BE: 843 vota   
Pro qëndrimit ne BE: 19,322 vota


Referendumi
Britania ka qenë gjithnjë një shtet ndryshe në gjirin e komunitetit evropian. Ajo nuk e ka unifikuar sistemin e saj gjyqësor me atë të BE-së, duke mbetur e lidhur me traditën e vjetër anglo-saksone. Ndërkohë, ajo, bashkë me Irlandën, mbeten të vetmet vende anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat kanë refuzuar gjithnjë të përfshihen në hapësirën Shengen. Kështu, një shqiptar mund të udhëtojë në të gjitha shtetet e tjera të BE, si dhe në Zvicër, Norvegji e Islandë, pa viza, por një gjë e tillë nuk vlen për të hyrë në territorin e Britanisë së madhe dhe Republikën e Irlandës.

Megjithatë, deri para pak vitesh tendencat centrifuge nuk kanë qenë kaq të fuqishme sa të shtronin kërkesën për një shprehje popullore të vullnetit për shkëputje. Por duket se ka qenë kriza financiare, që goditi në vitin 2008 Britaninë, ndër vendet e para të goditura prej saj, që shkaktoi edhe problem ekonomike dhe më pas sociale. 

Po si lindi ideja për një referendum të tillë?
“Do të shkoj në Parlament dhe do të propozoj një referendum “in or out” (brenda apo jashtë) që do të mbahet të enjten e 23 qershorit”. Kështu deklaroi kryeministri konservator David Cameron që në ditët e para, kur u hodh ideja e shkëputjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, që në atë kohë lidhej me kërkesa nga Londra për ndryshimin e një sërë kushteve dhe traktateve të Unionit me Britaninë, për t’u ofruar një “status special” britanikëve. Kjo nuk u pranua nga Brukseli.
Ndërkohë, kreu i fushatës pro-largimit, Boris Johnson, ish-kryetar i Bashkisë së Londrës, u shpreh se, pas diskutimesh të gjata, vendosi të mbështeste largimin, sepse - siç tha ai, - unë dua një marrëveshje më të mirë për popullin e këtij vendi.

Kampet
Por cilat janë karakteristikat kryesore të të dy kampeve që bënë fushatë deri ditën e martë?
Ja një analizë e bërë nga “The Telegraph”.

Fushata pro qëndrimit

1. Britania më e fortë në Europë
“Britania më e fortë në Europë” është zgjedhur si slogani zyrtar i kampit që kërkoi qëndrimin në BE. E drejtuar nga shefi ekzekutiv i “Marks&Spencer”, Stuart Rose, kjo alternativë pati mbështetjen e peshave të rënda, apo e figurave me zë të biznesit dhe të politikës britanike, si David Cameron, George Osborne e Teresa May, por edhe Sir Richard Branson, baronesha Karren Brady dhe ish-kryeministri Tony Blair.

2. Një ekonomi më e fortë, lidership më i fortë
Grupi në fjalë tha se qëndrimi në BE është një vendim “pozitiv dhe patriotik”, ndërsa largimi do të kufizonte tregtinë e lirë e do të zvogëlonte influencën e Britanisë nëpër botë.

Fushata pro largimit
Votoni largimin, le të kursejmë parà! Investo në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (NHS), investo në shkencë, ndrysho! “Votoni largimin” ishte zgjedhur si slogani zyrtar i kampit për shkëputjen e Britanisë nga Unioni. Kryesohej nga Boris Johnson e mbështetej nga Michael Gove. Hoqi nga rruga sfidën e një fushate rivale, “Grassroot Out”, të përkrahur nga Nigel Farage. Mes mbështetësve më të zellshëm u rreshtuan edhe Ian Duncan Smith dhe Chris Grayling. “Votoni largimin” pretendoi se kryeministri David Cameron nuk ka arritur asnjë reformë të qenësishme në BE.
Të dy fushatat kanë qenë në gjendje të shpenzojnë deri në 7 milionë paund. Ato kanë përfituar gjithashtu publicitete falas në “e-mail”-e, transmetime televizive dhe 600 mijë paund nga fondet publike në periudhën përgatitore përpara referendumit.

Tendencat
U duk javët e fundit se kishte një përqindje të madhe të qytetarëve britanikë që ishin në favor të një largimi të vendit nga BE. Por ditët e fundit para votimit u shtuan sërish radhët e atyre që e duan vendin brenda strukturave të Unionit, ku bënë pjesë edhe figura të shumta të artit e sportit.
Përfundimisht, vlerësimi i vetëm që u pranua nga të gjithë ishte ai, që rezultati do të ishte shumë i ngushtë. Një ditë para referendumit, YouGov dha projeksionin 51-49 në favor të atyre që ishin kundër Brexit.

Ndërkohë, të gjitha bursat e botës u duk dje se “vunë bast” mbi fitoren e kundërshtarëve të Brexit-it, çka solli një rritje të ndjeshme të vlerës së stërlinës. 24 orë përpara referendumit britanik, tregjet dhe investitorët ishin të bindur: Britania do të jetë pjesë e Bashkimit Europian edhe pas 23 qershorit. Paundi britanik preku nivelin më të lartë të pesë muajve të fundit gjatë së mërkurës, ndërkohë që tregjet europiane i mbyllën tri ditët e javës me më shumë fitime në thuajse 12 muajt e fundit.
Indeksi britanik në vetëm pak ditë fshiu tërësisht humbjet mujore.
 
 
Lajmi në perditesim

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre