Studentët e Fakultetit të Drejtësisë së Tiranës tashmë do të kenë mundësi të marrin eksperiencën britanike në fushën e kriminalistikës.

Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe ambasadën britanike, prezantoi sot projektin për ngritjen e një programi master ndërdisiplinor në fushën e kriminalistikës.

Programi master do të përmirësojë kapacitetet kërkimore të profesionistëve, akademikëve dhe politikëbërësve në identifikimin e shkaqeve themelore të krimeve.

Projekti parashikon, ndër të tjera, zhvillimin e strukturës dhe të kurrikulës për Programin Master në Kriminalistikë, ngritjen e kapaciteteve të Universitetit të Tiranës për ta administruar programin, dhe mbështetjen e kursit të parë dyvjeçar.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Duncan Norman, u shpreh në fjalën e tij se, kjo është hera e parë që Mbretëria e bashkuar bashkëpunon me një Universitet për të forcuar kapacitetet në parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar.

“Vitet e fundit kemi bashkëpunuar me shumë partnerë shqiptarë si, Ministrin e Brendshme, të drejtësisë, Drejtorinë e Burgjeve, por kjo është hera e parë që na është kërkuar të bashkëpunojmë me Fakultetin e Drejtësisë në një projekt të këtij lloji”, tha Norman.

Ai theksoi mbështetjen e qeverisë britanike ndaj qeverisë shqiptare e për të luftuar kërcënimin e krimit të organizuar, me të cilin tha ai, “përballen të gjitha shtetet”.

“Ky program do të rrisë kapacitet formuese për të parandaluar krimin e organizuar. Qendra kërkimore është krijuar dhe ne shohim përpara kur qendra të funksionojë tërësisht”, tha Norman./ /ATA