Sekretari Britanik i Mbrojtjes Ben Wallace, tha të hënën se presidenti rus Vladimir Putin dhe gjeneralët e tij po pasqyrojnë fashizmin dhe tiraninë e 77 viteve më parë dhe agresioni i Rusisë në Ukrainë çnderon të kaluarën e saj ushtarake.
Në një fjalim që përkoi me parakalimin e Ditës së Fitores të Rusisë, që përkujton fundin e Luftës së Dytë Botërore, sekretari Wallace tha se gjeneralët rusë ishin po aq bashkëfajtorë sa presidenti i tyre dhe duhet të përballen me gjykatën ushtarake.
“Përmes agresionit në Ukrainë, Putini dhe rrethi i tij i brendshëm i gjeneralëve po pasqyrojnë tani fashizmin dhe tiraninë e 77 viteve më parë, duke përsëritur gabimet e regjimeve totalitare të shekullit të kaluar. Ata po tregojnë të njëjtën shpërfillje për jetën njerëzore, sovranitetin kombëtar dhe sistemin ndërkombëtarë”, tha ai.
Sekretari Wallace foli teksa presidenti Putin po mbante fjalim në Sheshin e Kuq në përvjetorin e fitores mbi Gjermaninë naziste, duke evokuar kujtimin e heroizmit sovjetik për të nxitur ushtrinë e tij drejt fitores në Ukrainë.
Në 75 ditë luftime, forcat ruse kanë rrafshuar fshatra e qytete në Ukrainë dhe kanë detyruar rreth gjashtë milionë njerëz të kërkojnë strehim jashtë vendit.
“Të gjithë ushtarët profesionistë duhet të tmerrohen nga sjellja e ushtrisë ruse. Ata jo vetëm që janë të përfshirë në një agresion të paligjshëm dhe krime lufte, por drejtuesit e tyre të lartë kanë dështuar në atë masë sa duhet të përballen me gjykatën ushtarake", tha sekretari Wallace.
Duke iu referuar gjeneralëve rusë, sekretari Wallace tha se "për ta dhe për Putinin nuk mund të ketë ditë fitoreje, vetëm çnderim dhe me siguri disfatë në Ukrainë".
Megjithatë, sekretari Wallace tha se çfarëdo që të ndodhë në Ukrainë, presidenti Putin do të jetë i pranishëm përreth për një kohë. “Ne duhet të pyesim veten se si do ta frenojmë atë dhe Rusinë e tij në atë mënyrë që t’i ofrojmë siguri Evropës", tha sekretari britanik.
Britania është një nga mbështetësit më të zëshëm të përpjekjeve të Ukrainës për t'i rezistuar asaj që presidenti Putin e quan një "operacion i posaçëm " për të çarmatosur fqinjin e tij më të vogël dhe për ta mbrojtur atë nga fashistët.
Ukraina dhe perëndimi thonë se ky është një pretekst i rremë për një agresion të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë./VOA
Lajmi kryesor: