Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi tashmë në SHBA pas debateve me ish-presidentin Berisha vite më parë, ka apeluar ndaj qeverisë shqiptare, kryeministrit Rama por dhe SHBA e BE për të mos sjellë armët siriane për t’i asgjësuar në Shqipëri, pasi do të bëjnë krim ndaj shqiptarëve. Brozi vlerësoi qeverinë Rama si më të mirën e këtyre viteve, aksionet për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe bllokimin e lojrave të fatit si dhe vetë Ramën dhjetorist.
Zoti Brozi. Po flitet se në Shqipëri do të bëhet depozitimi dhe asgjësimi i armëve kimike të Sirisë. Cili është qëndrimi juaj për këtë problem që ka ngjallur shumë diskutime këto ditë?
Sëpari nuk dua ta besoj se kryeministri Rama do të jetë aq naiv dhe të pranojë një kërkesë apo ofertë të tillë. Për më tepër, për këtë çështje me pasoja të rrezikshme për jetën e gjithë popullit, duhet të vendosë vetë populli me referendum dhe jo Qeveria e Parlamenti. Përgjigja ime është një “JO” aq e fuqishme, sa ta dëgjojë edhe Presidenti Obama, edhe Kryeministri Rama, edhe Parlamenti i Shqipërisë, edhe Bashkimi Europian, edhe Presidenti Putin apo kushdoqoftë.
Dhe më kryesorja do të doja të më dëgjonin shqiptarët kudo që janë, për t’u bashkuar e mos lejuar që një gjëmë e tillë t’i ndodhë vendit tonë. Qeveria dhe Parlamenti i Shqipërisë nuk duhet të hezitojnë aspak për t’i thënë “Jo” kërkesës që armët kimike të Sirisë të depozitohen apo shkatërrohen në vendin tonë....
Por ne jeni partnerë dhe anëtarë në NATO-s...?
...As miliona apo miliarda dollarë që mund të ofrohen, as miqësia e madhe me ato vende që mund t’ia kërkojnë Shqipërisë një gjë të tillë, përfshirë këtu edhe SHBA dhe vendet e Bashkimit Europian, dhe asnjë motiv e arësye tjetër, nuk duhet ta shtyjnë qeverinë ‘Rama’ të kryejë një KRIM ndaj Shqipërisë, krim ky me pasoja të paimagjinueshme për jetën e shëndetin e popullit sot dhe gjeneratave të ardhshme.
Të pranosh armët kimike të Sirisë do të thotë të helmosh edhe tokën, edhe ajrin, edhe ujin, edhe agrikulturën, edhe botën shtazore e bimore. Pasoja dhe humbje të rënda do të ketë edhe ekonomia e turizmi. Qeveria dhe mazhoranca e sotme u votuan nga populli për të mbrojtur sëpari interesat e Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, dhe jo për të sakrifikuar popullin e tyre për armët e Sirisë, për interesat e Rusisë, apo edhe për miq aq dashamirës si Amerika dhe vendet e BE.
Apeli juaj në këtë rast për armët kimike...?
I bej apel qeverisë Amerikane dhe Bashkimit Europian që të mos diktojnë dhe imponojnë qeverinë ‘Rama’ që të veprojë në kundërshtim me interesat e popullit që e ka votuar dhe besuar.
I bëj apel Kryeministrit Rama të mos bëhet qeveri servile që pranon edhe të helmojë popullin e vet me armë kimike të sjella nga Siria e largët. Shqipëria, me një territor aq të vogël, nuk duhet të bëhet edhe me tej një vend i lakmuar për lëndet e armët helmuese të botës.
Qeveria ‘Rama’ ka meritën e madhe që, me vendimin e saj të parë, e anulloi vendimin kriminal të qeverisë Berisha për importin e mbetjeve. Por të pranosh armët kimike të Sirisë është një akt edhe më kriminal se importimi i mbetjeve. Dhe nëse kjo ndodh, populli duhet të ngrihet për të protestuar fuqimisht dhe të mos lejojë të futet në territorin shqiptar asnjë gram armë e lëndë kimike helmuese nga Siria apo ngadoqofshin.
Dhe në ato protesta bashkohem edhe unë! Kam lexuar se Rusia është e gatshme t’i paguaje Shqipërisë 2 milion dollarë për pranimin dhe asgjësimin e armëve kimike. A ka më poshtërim se ky për shqiptarët? Pra Rusia duket se jetën e një shqiptari e çmon me pak se gjysëm dollari. Por jeta e një shqiptari, rusi, amerikani apo ngadoqoftë ështe dhe duhet të jetë gjëja më e çmuar dhe që nuk matet me para. Pra as Qeveria ‘Rama’ nuk duhet ta këmbejë shëndetin dhe jetën e shqiptarëve me para helmi, as me premtime me të tilla kushte, për mbështetjen e Shqipërisë.
Qeveria e re e drejtuar nga Edi Rama ka mbi një muaj që ka marrë në dorë zytarisht qeverisjen e vendit. Janë marrë vendime për anulimin e importit të plehrave, disa koncensioneve të dhënë nga qeveria Berisha në momentet kur ishte në detyrë. Si i vlerësoni këto hapa të para?
Bazuar në punën dhe korrektësinë e derisotme, mendoj se qeveria “Rama” është qeveria më e mirë që ka pasur Shqipëria dhe uroj e shpresoj që të mbetet e tillë gjatë gjithe viteve që do qeverisë. Të gjitha vendimet dhe veprimet e derisotme të Qeverisë Rama janë në interes të Shqipërisë dhe duhen përshëndetur.
Vendimi për anulimin e importit të mbetjeve (apo plehrave), rishikimi apo dhe anullimi i koncesioneve të dhëna nga qeveria ‘Berisha’, rishikimi i të gjitha kontratave, i shitjeve e grabitjeve të pasurive publike që ka bërë gjatë tetë viteve qeverisja e Berishës, janë veprime të drejta dhe të domosdoshme, që duhen mbështetur nga publiku, media, shoqeria civile dhe ndërkombëtarët. Gjithashtu vlerësoj shumë faktin se Qeveria ‘Rama’ në të gjitha aspektet ka ndryshime pozitive thelbësore nga të gjitha qeveritë e derisotme.
Duke qenë me moshë të re, apo relativisht të re, Kryeministri, ministret dhe ministrat i kanë dhënë qeverisjes energjinë, dinamizmin, përkushtimin maksimal dhe korrektësinë, cilësi këto aq të domosdoshme për të pasur një qeverisje të sukseshme. Një aspekt tjetër shumë pozitiv është fakti se si asnjëherë më parë, femra shqiptare po përfaqësohet denjësisht në qeveri, në Parlament dhe në poste të tjera të larta. Ato po dëshmojnë me punë se janë ndër drejtueset më të suksesshme dhe të guximshme. Unë u shpreh atyre mirënjohjen dhe respektin më të madh.
Pra jeni të bindur në suksesin e kësaj qeverisjeje...?
Le të mos harrojmë se kryeministri Edi Rama, Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, ish kryeministri Pandeli Majko dhe disa ministra e ish ministra e drejtues të tjerë të mazhorancës janë ndër pjesëmarrësit, frymëzuesit, mbartësit dhe përçuesit e idealeve të Lëvizjes Studentore të 1990-ës. Sot ata kanë fatin dhe detyrimin e madh që të jenë edhe misionarët e bërjes realitet të ëndrrës së Levizjes Studentore, të mishëruar edhe në thirrjet që zgjuan mbarë vendin: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”
Sot motoja është jo ta duam, por ta bëjmë Shqipërinë tonë të dashur si Europa! Ta bëjmë vendin tonë anëtar dinjitoz të familjes së BE! Qeveria Rama dhe mazhoranca këto dy muaj qeverisjeje kanë hedhur hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.
Një ndër masat kryesore të qeverisë kanë qënë prishja e ndërtimeve pa leje dhe bllokimi i lojrave të fatit dhe pikave të basteve të paligjshme. Mendoni se është filluar mbarë?
Po. Pa asnjë mëdyshje mbështes edhe këto veprime të qeverisë. Kaosi dhe batërdia urbanistike që ka ndodhur që nga viti 1991 e deri më sot, nuk mund të tolerohet as edhe një sekondë më shumë. Pasojat e këtij kaosi janë të shumta, të rënda, dhe shumica e tyre të pariparueshme. Prishja e ndërtimeve pa leje apo edhe atyre ndërtimeve me leje të dhëna në kundërshtim me ligjin dhe përmes korrupsionit apo falsifikimeve, janë masa të domosdoshme dhe qeveria duhet përgëzuar.
Në mënyrë të veçantë duhet pastruar bregdeti, zonat turistike, Kruja, Berati, Gjirokastra, Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra, Saranda dhe gjithe qytetet e tjera, nga ndërtimet pa leje dhe shëmtia urbanistike. Vënia para drejtësisë e atyre që kanë abuzuar me detyrën në dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjet dhe planin urbanistik, është një hap tjetër pozitiv i qeverisë ‘Rama’. Hartimi i një plani urbanistik kombëtar, ku të përfshihen jo vetëm të gjitha qytetet, por edhe fshatrat e vendit, dhe zbatimi strikt i tij, janë edhe standarde të familjes europiane ku duam të bashkohemi.
Qytetarët dhe pushtetarët në Shqipëri duhet të fillojnë të sillen si europianë edhe në fushën e urbanistikës dhe ambientit. Askush nuk duhet të lejohet të ndërtojë në kundërshtim me ligjet e rregullat e urbanistikës, planifikimit, ruajtjes së ambientit dhe vendeve dhe objekteve arkeologjike e historike. Në Perëndim, pa leje nuk hap dot edhe një dritare në shtëpi, ndërsa në Shqipëri janë bërë pallate, apo disa kate pa leje, madje dhe duke zaptuar bregdetin, pjesë të detit dhe kështjella.
Vlerësim keni dhe për aksionin kundër lojrave të fatit...?
E përshëndes qeverinë edhe për luftën dhe punën këmbëngulëse e me kurajo që po bën kundër lojrave të fatit dhe qendrave të paligjshme të basteve, të cilat vetëm tragjedi dhe të këqija u sjellin shqiptarëve dhe familjeve të tyre, si dhe kanë ndikuar dukshëm në rritjen e kriminalitetit dhe pastrimit të parave. Shqiptarët duhet dhe mund ta përmirësojnë dhe ndërtojnë jetën e tyre, jo me lojra fati, por me punë.
(Vijon numrin e ardhshëm)
Shkrimi u publikua sot (9.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com