Një vëmendje e veçantë në këtë takim i është kushtuar edhe situatës ekonomike në vendet e Europës Juglindore.
Lideri i opozitës, Lulzim Basha theksoi në fjalën e tij së zhbërja e standardeve demokratike dhe instalimi i praktikave oligarkike ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve në Shqipëri duke përqendruar sipas tij vendimmarrjen në duart e një grupi oligarkësh me lidhje kriminale.
(Në foto: Kreu i PD Lulzim Basha në samitin e PPE në Bruksel)
Ndër të tjera Basha theksoi se kjo ka sjellë rritje të varfërisë dhe papunësisë dhe për rrjedhojë trefishim të azil-kërkuesve ekonomikë drejt vendeve të BE.
Pas takimeve dhe bisedave që zhvilloi me liderë të vendeve anëtare, drejtues të institucioneve të BE dhe Parlamentit Europian si dhe me Presidentin e Komisionit Europian Juncker, Basha u shpreh i sigurtë për një vëmendje të shtuar të Europës ndaj Shqipërisë dhe zhvillimeve të fundit.
"Eshtë një ekip shumë premtues, pa dyshim, nën lidershipin e kryetarit të komisionit, presidentit Juncker, me të cilin pata rastin të takohem e të bisedoj, ta uroj për përgjegjësitë e reja që ka marrë. E njoha me zhvillimet e fundit në Shqipëri, për të cilat është i mirëinformuar dhe mendoj se si presidentit Juncker, ashtu edhe krerët e disa qeverive dhe partive simotra në këtë samit, fokusi tek Shqipëria dhe tek Europa Juglindore nuk do u mungojë. Eshtë e qartë se rrëshqitja nga standardet demokratike është një alarm i madh edhe për Komisionin e ri Europian dhe në këtë kuadër mendoj se angazhimi i komisionit të ri, i komisionerit Hann, i kryekomisionerit, presidentit Juncker, i Parlamentit Europian dhe përfaqësuesve të PPE në të gjitha këto struktura do të jetë i domosdoshëm dhe frutdhënës për t’i dhënë fund praktikës së zhbërjes së standardeve demokratike në Shqipëri, si një parakusht për të garantuar ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian", theksoi zoti Basha.
(Në foto: Kreu i PD Lulzim Basha dhe Kreu i KE Jean Claude Juncker në samitin e PPE në Bruksel)
Partia Popullore Europiane është formacioni më i madh ne Bashkimin Europian dhe ka grupin më të madh në Parlamentin Europian, në përbërje të të cilit janë liderë si, kancelarja Merkel, presidenti i Komisionit Europian, presidenti i Këshillit Europian, dhe Komisioneri i ri për Zgjerimin.
(Në foto: Nga punimet në samitin e PPE në Bruksel)
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)