BRUKSEL - Ministrja Gjosha ka raportuar në Bruksel për mbarëvajtjen e zbatimit të MSA-së  në takimin e 6-të të Këshillit të Stabilizim Asociimit. 

Delegacioni shqiptar në këtë takim kryesohej nga Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, përbëhej nga 11 zyrtarë shqiptarë. Pjesë e këtij delegacioni ishte edhe Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit Majlinda Bregu.

“Nga ky proces transformimi fitojnë qytetarët shqiptarë. Fitojnë bizneset që përfitojmë nga rregullat e standardizuara dhe nga masat për të reduktuar korrupsionin. Pra, fiton Shqipëria.”- tha Gjosha

Ministrja e Integrimit Evropian, raportoi në Këshill për mbarëvajtjen e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duke u fokusuar në kriterin ekonomik, përafrimin e legjislacionit me BE-në dhe bashkëpunimin financiar. Gjosha u shpreh se Shqipëria ka shënuar progres për zbatimin e MSA-së, ku gjatë vitit 2013-2014 është bërë një punë domethënëse në përafrimin e legjislacionit me BE, si dhe reforma të tjera të nisura nga qeveria.
 
Ministrja e Integrimit Evropian gjatë diskutimeve në Këshill, theksoi gjithashtu se bashkëpunimi me opozitën është shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit të integrimit i cili është mjaft kompleks dhe dinamik.

Duke nënvizuar progresin që ka bërë vendi, Gjosha u shpreh se: “Standardet që duhen plotësuar për t’u pranuar në familjen evropiane ndryshojnë me kohën. Për këtë arsye,  Shqipërisë i duhet të ecë më shpejt për të mbajtur ritmin e BE-së.”- tha ministrja e Integrimit Evropian, duke theksuar se: “Të gjitha nismat e ndërmarra deri tani nga qeveria në funksion të axhendës evropiane,  kanë si synim kryesor përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe afrimin e mëtejshëm me BE-në”.
 
“Në këtë proces të gjatë transformimi fitojnë qytetarët shqiptarë. Fitojnë bizneset që përfitojnë nga rregullat e standardizuara dhe nga masat për të reduktuar korrupsionin. Pra, fiton Shqipëria”, tha Ministrja Gjosha.
 
Pala europiane u përfaqësua në Këshill nga Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle dhe  Zv.Kryeministri Evangelos Venizelos, njëkohësisht Ministër i Jashtëm i Greqisë, vendi që mban presidencën e Unionit deri në 1 Korrik. Komisioneri Fyle gjatë takimit, por edhe në konferencën për shtyp të mbajtur pas tij, inkurajoi Shqipërinë për vijimësinë e reformave duke u përqendruar tek 5 prioritetet që i janë lënë nga Komisioni deri në hapjen e negociatave.
 
Venizelos shprehu edhe njëherë zyrtarisht mbështetjen e Greqisë duke theksuar se shpreson që Shqipërisë t’i jepet statusi brenda qershorit.
 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)