BRUKSEL- Beppe Grillo, lideri i partisë më të madhe opozitare italiane, Lëvizja Pesë Yjet (M5S), shfrytëzoi sot një vizitë në Bruksel për të mbajtur një fjalim tiradë dhe mjaft të ashpër kundër Gjermanisë dhe për të kërkuar një referendum për daljen nga zona euro.
Beppe Grillo, një komedian i shndërruar në politikan populist, deklaroi se Italia po vuante nga masat shtrënguese të eurozonës të diktuara nga Gjermania dhe akuzoi Berlinin për kompleks të gabuar superioriteti.
"Jam i intriguar nga Gjermania pasi ajo imponon ide, ajo imponon haluçinacione ekonomike, ajo imponon gjëra që shkojnë kundër demokracisë, ajo imponon njerëz që nuk i ka votuar askush", deklaroi Grillo në një konferencë shtypi në Parlamentin Evropian.
"Por, Gjermania nuk mund të bëjë më këtë, pasi edhe ekonomia e saj ndodhet aktualisht në stanjacion", theksoi ai.
Grillo sulmoi edhe presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili aktualisht ndodhet nën presion për shkak të taksimit preferencial të koorporatave të mëdha nga ana e Luksemburgut, kur ky i fundit ishte kryeministër dhe ministër i Financave.
Lideri i M5S-ës po bënte sot fushatë për mbledhjen e firmave për një referendum për daljen e Italisë nga eurozona, pavarësisht dyshimeve të mëdha nëse kjo votë do të konsiderohej nga Gjykata Kushtetuese e vendit.
Grillo nuk pranoi pyetje nga gazetarët. Një prej tyre u ankua për këtë gjë duke krahasuar Grillon me presidentin rus, Vladimir Putin dhe replikoi me politikanin italian ndërkohë që ai largohej.
Në blogun e tij, Grillo tha se euro po e shkatërronte ekonominë italiane.
"Ne nuk jemi në luftë kundër ISIS-it apo Rusisë, por me Bankën Qendrore Evropiane që ka zëvendësuar qeveritë kombëtare", shton ai në blog. Në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në maj, M5S-a fitoi 21 për qind të votave në Itali./ATSH/