BRUKSEL - Komisioni Evropian është i vendosur të punojë në mënyrë konstruktive me autoritetet greke dhe të gjithë organizmat e përfshirë në kuadër të arritjes së një marrëveshjeje të përbashkët në dobi të Greqis dhe Evropës në tërësi, deklaroi Anika Brightheart, zëdhënëse e komisionerit për Çështjet Ekonomike dhe Monetare, Pierre Moscovici.

Brightheart nënvizoi përveç të tjerave se takimi i Eurogrupit që do të zhvillohet më 11 shkurt do të përbëjë një rast të rëndësishëm për realizimin e progreseve në diskutimet me Greqinë.

Ndërkohë burime komunitare theksojnë se Komisioni Evropian vlerëson se mënyra më e mirë që të avancojnë bisedimet është shtyrja e afatit të programit ekzistues të financimit të Greqisë përmes mekanizmit të stabilitetit  financiar (EFSF).

"Mirëpo kjo presupozon që Greqia të paraqesë kërkesën përkatëse brenda ditëve të ardhshme, dhe vendimi të merret në takimin e radhës të eurogrupit, më 16 shkurt", sipas të njëjtit burim./ATSH/