BRUKSEL - Papunësia ka regjistruar rënie edhe në muajin janar në zonën euro për të dytin muaj radhazi duke arritur në nivelin më të ulët që prej muajit prill 2012, sipas shifrave të publikuara sot nga zyra evropiane e statistikave "Eurostat".
Niveli i papunësisë arriti në 11,2 për qind nga 11,3 për qind në dhjetor të vitit 2014. Në një muaj, papunësia është ulur ose ka mbetur e qendrueshme në të gjitha vendet e zonës euro.
Në total, rreth 18,06 milionë persona janë regjistruar të papunë në muajin janar në zonën euro, rreth 140 000 më pak se një muaj më parë dhe 896 000 më pas se në muajin janar 2014.
Gjermania mbetet vendi ku niveli i papunësisë është më i ulët me 4,7 për qind, ndjekur nga Austria me 4,8 për qind, Luksemburgu 5,9 për qind dhe Malta 6,0 për qind.
Në anën tjetër të medaljes, është Greqia që regjistron përqindjen më të lartë të papunësisë me 25,8 për qind, sipas statistikave të fundit të disponueshme, që datojnë në nëntor 2014. Spanja pason me 23,4 për qind dhe Qipro me 16,1 për qind. Në Francë niveli i papunësisë ka regjistruar rënie në 10,2 për qind kundër 10,3 për qind në muajin dhjetor.
/ATSH/