BRUKSEL - Përmes një mesazhi të pazakontë kreu i PS i është drejtuar zyrtarëve të Brukselit të qëndrojnë vigjilentë ndaj manipulimeve të mundshme për zgjedhjet e 2013-ës. "Zgjedhjet në Shqipëri mund të fitohen dhe humben jo me votë por me manipulime" u shpreh Rama. Kjo deklaratë është bërë në ceremoninë e përurimit të ekspozitës "Euroalbanian Contacts" e çelur në ambientet e PE për të promovuar 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Ekspozita ishte ndërtuar me rreth 50 harta të trojeve arbërore të vizatuara në harkun e 17 viteve. Pjesëmarrësit në ekspozitë shprehën impresionet e tyre. Për zv.presidentin e socialdemokratëve në PE, Libor Rucek i rëndësishëm është fakti se Shqipëria është në hartën e Europës që prej 2000 vjetësh.

Angel Martines zv president i PE u shpreh se kjo ekspozitë dëshmon faktin se Shqipëria është pjesë e Evropës dhe se ky vend ndan me ne jo vetëm gjeografinë, historinë por dhe kulturën.

Vlerësime për ekspozitën erdhën dhe nga kreu i delegacionit për Ballkanin në PE, Eduard Kukan, dhe eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon.

"Bie dakord me atë që Rama tha se shqiptarët nuk kanë nevojë për një të ardhme evropiane por për një të tashme evropiane", -u shpreh Fajon.

Javët e ardhshme ekspozita do zhvendoset në Tiranë.
(Gre.M/ns/Shqiptarja.com)