BRUKSEL - Grupi eurofob në Parlamentin Evropian, i drejtuar nga britaniku, Nigel Farage u shpërbë pas largimit të deputetes së tij letoneze, Iveta Grigule, njoftoi sot Parlamenti Evropian.
"Eurodeputetja lituaneze, Iveta Grigule u largua nga EFDD-ja dhe për këtë arsye nuk ka më përfaqësues të ardhur nga shtatë vende anëtare. Për këtë arsye kjo parti shpërbëhet që prej ditës të sotme", njoftoi zëdhënësi i Parlamentit Evropian, Jaume Duch në Twitter.
"Kjo lëvizje ndodh një javë para votimit për miratimin e Komisionit të ri Evropian drejtuar nga Jean-Claude Juncker dhe do të jetë shumë e dukshme gjatë seancës plenare, sepse Nigel Farage dhe aleatët do të vihen përkrah të zgjedhurve të Frontit Kombëtar francez në radhët e të paregjistruarve dhe do të ndajnë me njëri-tjetrin kohën e fjalës që iu rezervohet", nënvizoi burimi parlamentar.
Nigel Farage është treguar shumë i ashpër kundër Jean-Claude Juncker gjatë debatit në muajin korrik, para votimit për konfirmimin e emërimit të tij në krye të Komisionit Evropian./ATSH/