Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn deklarojnë se zgjedhjet ishte të qeta dhe të rregullta, ndërsa shton se duhet të zbatohen rekomandimet e vëzhguesve.
Mogherini dhe Johannes Hahn shprehen se do të punojnë me qeverinë e re për procesin e reformave, sidomos asaj në drejtësi për të vijuar procesin e integrimit në BE.
“Pasi të përfundojë procesi zgjedhor, do të angazhohemi me qeverinë e re për të mbështetur procesin e reformave dhe për të vazhduar procesin e integrimit në BE.
Vazhdimi i reformës së drejtësisë dhe lufta kundër trafikut të drogës dhe kultivimit do të jetë e një rëndësie të veçantë në këtë drejtim” thuhet ndër të tjera në deklaratën e Mogherinit dhe Hahn.
Bashkimi Europian ka qenë i angazhuar maksimalisht në 6 muajt e fundit të këtij viti në Shqipëri pas krizës politike dhe protestave të PD.
Deklarata e plotë
Zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë më 25 qershor u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe të rregullt.
Qytetarët patën alternativa të gjera politike në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Sipas konkluzioneve paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, kandidatët kishin mundësi të bënin lirshëm fushatë dhe liritë themelore të grumbullimit dhe shprehjes u respektuan.
Korniza zgjedhore në përgjithësi siguroi një bazë të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike.
Kemi marrë parasysh rezervat e shprehura nga vëzhguesit lidhur me politizimin e organeve zgjedhore në kundërshtim të ligjit.
Ne presim adresimin e duhur të gjetjeve paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, sidomos lidhur me akuzat për blerjen e votave dhe presionin ndaj votuesve, si dhe ndërhyrjen e aktivistëve të paautorizuar të partive, të cilët mund të dëmtojnë besimin e publikut në zgjedhje.
Pasi të përfundojë procesi zgjedhor, do të angazhohemi me qeverinë e re për të mbështetur procesin e reformave dhe për të vazhduar procesin e integrimit në BE.
Vazhdimi i reformës së drejtësisë dhe lufta kundër kultivimit dhe trafikut të drogës do të jetë e një rëndësie të veçantë.
Ne gjithashtu presim të vazhdojmë partneritetin tonë me Shqipërinë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
dy.b/shqiptarja.com