Bruno Shllaku, një nga aktorët më të rëndësishëm të skenës shqiptare, shprehet se Teatri i ri Kombëtar duhet të fillojë të ndërtohet një orë e më parë dhe se ndërtimi i tij është puna më e mirë që po bën qeveria dhe Bashkia e Tiranës.
Sipas aktorit të njohur shkodran, teatri ekzistues u ndërtua nga Italia fashiste si kapanon ushtarësh dhe vetëm një godinë e re, bashkëkohore, do t’i japë vlerë Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.
Përsa i përket çështjes së Teatrit, më vjen keq se shumë nuk e dinë që është një godinë që i përket një stalle kuajsh, që Italia fashiste e ndërtoi për kapanon truprojesh. Ajo vërtetë që ka vlera, por do të marrë vlera më të mëdha kur të bëhet një godinë e re, bashkëkohore që t’i përkasë Teatrit të Tiranës, i cili shumë shpejt do të jetë në bashkëbrinj me qytete të mëdha të Europës. Reliket, figurat, objektet e suveniret e atij teatri, do të jenë në një seli të shenjtë si Teatri i Ri modern, që jam i bindur se do të ndërtohet.
Bruno Shllaku, aktor
Aktualisht, aktori Bruno Shllaku është angazhuar në një produksion të Hollivudit dhe një film mbi Hebrenjtë që do të xhirohet në Poloni.
Deklarata e plotë e aktorit për REPORT TV
“Puna më mirë që bën ndonjëherë qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës. Më vjen mirë që gjithmonë gjërat e mira vazhdojnë sipas traditës klasike, të lindin me vështirësi. Kam parasysh për analogji momentin e parkut të Liqenit, kur u vërsulën i madh e i vogël me drurë e me shkopinj dhe mjete rrethanore për ta ndaluar të bëhej, dhe po ato njerëz vijnë dhe gjejnë qetësi dhe kënaqen ndoshta - ndoshta edhe mburren në heshtje.
Përsa i përket çështjes së Teatrit, më vjen keq se shumë nuk e dinë që është një godinë që i përket një stalle kuajsh, që Italia fashiste e ndërtoi për kapanon truprojesh. Ajo vërtetë që ka vlera, por do të marrë vlera më të mëdha kur të bëhet një godinë e re, bashkëkohore që t’i përkasë Teatrit të Tiranës, i cili shumë shpejt do të jetë në bashkëbrinj me qytete të mëdha të Europës. Reliket, figurat, objektet e suveniret e atij teatri, do të jenë në një seli të shenjtë si Teatri i Ri modern, që jam i bindur se do të ndërtohet.
Mos kujtojë ndokush se unë që nuk them teatri im, nuk e them sepse kam frikë. E them Teatri Im se ai është teatri ku unë kam dhënë shfaqje të ndryshme me shumë sukses, në atë skenë legjendare. Jam dakord që Teatri i Ri të fillojë punën një orë e më parë dhe madje kam besim absolut te arkitekti që do vëjë dorë në teatër.
Më në fund ashtu siç kemi kishat dhe xhamitë, po ashtu edhe Teatri Kombëtar, duke e marrë si fe të shqiptarëve artin dramatik, le të ketë rëndësinë e vetë absolute mbi qytetarët dhe për qytetarët”.