Ishte kryeministri Edi Rama që njoftoi nga Kina shpalljen e vendeve vakante në Këshillin e institucionit më të lartë financiar në vend, duke përcaktuar njëherësh dhe kriteret që duhet të përmbushin anëtarët. Kreu i qeverisë shkruan në rrjetet sociale Twitter dhe Facebook, se anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë shqiptarë të suksesshëm që kanë punuar në sistemin financiar ndërkombëtar.
“Do t”u drejtohemi shqiptarëve që punojnë në sistemin financiar ndërkombëtar për vendet në Këshillin Mbikqyrës të BSH. Javën tjetër thirrja!”, shkruan shefi i mazhorancës.
Këshilli Mbikëqyrës duhet të funksionojë me 9 anëtarë. Aktualisht, me arrestimin e ish-guvernatorit Fullani (njëherësh anëtar i Këshillit), me dorëheqjen e Ardian Civicit dhe me mungesën prej nëntë muajsh te 2 anëtarë që nuk janë zëvendësuar nga Kuvendi, Këshilli Mbikëqyrës funksionon me 5 anëtarë.
Pas arrestimit të guvernatorit Fullani për shpërdorim detyre në lidhje me vjedhjen e parave nga thesari i shtetit, drejtimin e Bankës së Shqipërisë, sipas ligjit të këtij institucioni e ka marrë zëvendësguvernatorja e Parë, Elisabeta Gjoni.
Sakaq, Këshilli Mbikëqyrës në një mbledhje të jashtëzakonshme mbrëmjen e së shtunës (6 Shtator), mori vendimin për t’i propozuar Kuvendit shkarkimin e Fullanit, ndërsa brenda një muaji Parlamenti duhet të votojë për emrin e ri.
Rama leksion në Universitetin e Tianjinit, prezanton Rilindjen e Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama në vijim të vizitës së tij zyrtare në Kinë, ka mbajtur një leksion për studentët dhe akademikët në Universitetin e Tianjinit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri shqiptar ka bërë të ditur se temë kryesore e leksionit të mbajtur prej tij ka qenë Shqipëria e re, dhe rilindja që qeveria që ai drejton kërkon të sjellë në vend.
Siç thekson Rama në postimin e tij, në leksion u prezantua historia e Shqipërisë, synimet e vendit për të ardhmen dhe vullneti për të ndryshuar, në perspektivën evropiane.
“Ne Universitetin e Tianjinit per Shqiperine e re, historine e te ardhmen, vullnetin per ndryshim, Rilindjen qe duam.” shkruan Rama
Kreu i qeverisë, ndodhet tashmë prej 3 ditësh në Kinë, ku gjatë kësaj periudhe ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, ndërsa zhvilloi edhe një takim zyrtar me homologun e tij kinez, Li Keqiang.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)