Kjo rregullore është hartuar në zbatim të ligjit 133/2013, datë 29.04.2013 " Për Sistemin e Pagesave" dhe Strategjisë afatmesme të Bankës së Shqipërisë 2013-2015.
Ajo synon të krijojë një impuls në tregun e sistemeve të pagesave me qëllim nxitjen e iniciativave private në lidhje me klerimin dhe shlyerjen e pagesave në monedhë vendase dhe të huaj.
Krijimi i infrastrukturave të tilla vlerësohet të sjellë një kontribut të shtuar për nxitjen e përdorimit të instrumenteve të pagesave elektronike, nëpërmjet rritjes së shpejtësisë e sigurisë së pagesave dhe reduktimin e kostove që mbartin ato aktualisht. Si rrjedhojë, ky zhvillim pritet të ndikojë në reduktimin e përdorimit të parasë fizike në ekonomi.
Rregullorja ka marrë në konsideratë eksperiencat më të mira në fushën e licencimit dhe mbikëqyrjes të sistemeve të pagesave si dhe standardet ndërkombëtare të kësaj fushe.