/ATSH/- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e së mërkurës, Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2015, bëri të ditur sot BSH-së.
Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat ndeshet sistemi financiar dhe infrastruktura e tij.
Në hyrje të dokumentit është vendosur Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë ligjore.
Ky është raporti i katërmbëdhjetë, që nga momenti i parë i publikimit dhe ai analizon zhvillimet e ndodhura në 6-mujorin e parë të vitit 2015. Gjatë periudhës, treguesit financiarë që lidhen me shëndetin, kapitalizimin dhe likuiditetin e veprimtarisë së sektorit bankar, përgjithësisht janë përmirësuar, duke forcuar kështu kapacitetet e sektorit për të përballuar rreziqet e veprimtarisë.