TIRANË- Që nga sot Presidenca nuk do të ketë më kangjellat e larta rrethuese të oborrit që kemi parë çdo ditë, por do të jenë të përgjysmuara, duke ofruar një pamje më të plotë të godinës. Në shtator të 2013, kryeministri Rama largoi kangjellat rrethuese të godinës së kryeministrisë. Por prerja e kangjellave të Presidencës, ditën e sotme ka bërë që të reagojnë para medias Artan Shkreli dhe Artan Lame. Sipas Lames, reagimi i tyre vjen në emër të “Forumit për Trashëgiminë”, pasi “janë monument kulture” dhe ky është "një akt barbar".

Artan Shkreli dhe Artan Lame në emër të "Forumit të Trashëgimisë Kulturore" i bënë thirrje kreut të shtetit Bujar Nishani të pengojë këtë veprim, ndërsa bënë me dije se për prishjen e rrethimit duhet të ishte njoftuar Instituti i Monumenteve, pasi ky objekt përmban vlera historike e monumentale.
 
Lame thotë se "prishja e kangjellave sjell shkatërrim të një objekti që përmban vlera historike dhe monumentale".

“Presidenti besoj se nuk e di që po shkatërrohet. Është zgjedhur dita e Shtunë dhe pasi u shkatërrua një pjesë, po hiqet dhe rrethimi vetë.
Nëse duhej hequr rrethimi duhej drejtuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, që ka në mbrojtje aksin e bulevardit”, tha Shkreli.
 
Ai i bëri thirrje Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro që të reagojnë, pasi është “ndërhyrje precedente, që bëhet në bulevard e shkatërrojnë një rrethim, që nuk di çfarë t'i them veçse barbari. Është ulur injoranca këmbëkryq, ndërhyhet për të hequr pjesë të objektit që janë me leje dhe pjesë e arkitekturës”, vijoi ai.

Ndërkaq, Lame ka sqaruar se nuk mund të veprohet njësoj si me Kryeministrinë, pasi rrethimi i godinës u hoq për ta kthyer atë në identitet, ndërsa Presidencës, sipas tij, po i dëmtohet identiteti.

pritet rrethimi i presidences
(Në foto: Prerja e rrethimit të Presidencës, foto, A.Çakshiri/Shqiptarja.com) Foto të tjera

“Dua që sot që Presidenti i Republikës, që me siguri e merr vesh këtë prononcim, të pengojë shkatërrimin e kangjellave”.
 
Ndërsa Artan Lame ka theksuar se rrethimi nuk ishte kalbur, por “është e verifikueshme që rrethimi është i shëndoshë si gjashtë dekada më parë. Ne flasim në emër të ‘Forumit për trashëgiminë’. Ne po i bëjmë namim kryetarëve të komunave e bashkive kur prishen kangjellat e shtëpive private, ndërsa këtu prishen kangjella historike, pjesë monumentale. Këtu ka qenë ish-ambasada sovjetike, ka një histori të tërë. Nuk mund të prishet vetëm se dikush ka vendosur të heqë kangjellat”, vërejti Lame.

Rrethimi është pjesë e identitetit të godinës të Presidencës prej 6 dekadash.

ORA 19:10 PRESIDENCA: NUK PARASHIKOHET HEQJA E RRETHIMIT TË GODINËS
Kreu i Shtetit Bujar Nishani ka reaguar pas deklaratave të Artan Lames dhe Artan Shkrelit lidhur me prerjen e kangjellave të murit rrethues të institucionit të Presidencës. Në një njoftim për shtyp, Institucioni i Presidencës sqaron se “nuk parashikohet heqja e rrethimit të godinës, por përmirësimi i pamjes së jashtme”.
 
Duke i quajtur këto ndërhyrje si “sistemime, institucioni i Presidencës shpreh “keqardhje për pavenda dhe spekulative”.

Vërejtjet e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t dhe këshilltarit të kryeministrit, nga Presidenca u cilësuan si “të pavend dhe spekulative”.
 
“Zyra e Shtypit të Presidentit të Republikës shpreh keqardhje për vërejtjet, krejtësisht të pavenda, spekulative dhe të paprincipta, që dy zyrtarë të lartë të Qeverisë të cilët mbajnë respektivisht detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t dhe këshilltarit të kryeministrit, bënë sot në mesditë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj institucionit dhe vetë presidentit të Republikës”, thuhet në reagim.
 
Në reagimi thuhet se nuk parashikohet heqja e rrethimit të godinës së Presidencës, e ndërsa sistemimet mbi atë rrethim dhe ato kangjella, po bëhen për përmirësimin e pamjes së jashtme të godinës së Presidencës.
 
“Lidhur me veprimet që po kryhen për sistemimin e një pjese të rrethimit të godinës së Presidencës, me përgjegjësi institucionale qartësojmë për publikun se nuk parashikohet heqja e rrethimit të godinës së Presidencës. Godina e Presidencës, monument kulture i kategorisë së dytë, shpallur ligjërisht e tillë në vitin 2007, deri më sot me pamje të jashtme të bunkerizuar dhe aestetike, rrethohet me kangjella metalike me probleme evidente të gërryerjes korrodive. Këto probleme njiheshin, por u shfaqën edhe më tepër dhe u konstatua se ishin të papranueshme pas heqjes së bimësisë që mbulonte pamjen e Institucionit më të rëndësishëm të vendit. Sistemimet mbi atë rrethim dhe ato kangjella po bëhen me synimin e vetëm përmirësimin e pamjes së jashtme të godinës së Presidencës, harmonizimin funksional dhe estetik të asaj godine me hapësirat urbane rreth saj, për të bërë të mundur në këtë mënyrë, mes tjerash, hapjen dinjitoze të Institucionit për vizitorët vendas dhe të huaj. Presidenti i Republikës, i habitur dhe i lënduar skajshëm me nostalgjizmin sovjetik të kritizerëve, siguron se gjatë këtyre punimeve restauruese, në asnjë rast, në asnjë fragment dhe për asnjë çast, nuk është fjala për asnjë tjetërsim estetik dhe asnjë prekje trashëgimie, dhe shpreh keqardhjen e thellë njerëzore dhe institucionale për këtë sulm politik të radhës”, citohet në reagim.

Redaksia Online
(e.s/b.g/shqiptarja.com)